Iu fik jet ski gjatë natës, shpëtohet pas 10 orësh në det i riu

Shqipëria

Iu fik jet ski gjatë natës, shpëtohet pas 10 orësh në det i riu

Më: 3 gusht 2023 Në ora: 16:35
Foto ilustrim

Një 28-vjeçar është shpëtuar pas 10 orësh operacion kërkimi-shpëtimi gjatë natës në det të hapur në Borsh, pasi i ishte fikur mjeti lundrues jet ski në mes të detit për shkak të një defekti

Të riun, banues në Tiranë, e kishin zhvendosur rrymat 2.5 milje në thellësi, në drejtim të ishullit të Korfuzit duke i rrezikuar seriozisht jetën.

“Pas marrjes së njoftimit nga miq të shtetasit K. S., 28 vjeç, banues në Tiranë, se kishin humbur kontaktet me këtë të fundit, pasi rreth orës 20:00, ky shtetas, për qëllime turistike, ishte nisur me Jet Ski, nga Porto Palermo drejt Borshit, shërbime të Policisë Kufitare të DVKM Vlorë dhe të repartit “Delta”, të pajisura me 3 mjete lundruese dhe të asistuara nga peshkatarë të zonës, kanë organizuar punën dhe kanë dalë menjëherë në det të hapur, për të lokalizuar dhe shpëtuar 28-vjeçarin.

Si rezultat i një operacioni kërkim-shpëtimi që zgjati nga ora 20:00 deri në orën 06:20 të ditës së sotme, në det të hapur, të kryer nga shërbime të specializuara të Policisë, u bë i mundur lokalizimi 2.5 milje në thellësi të detit, dhe nxjerrja në breg, në gjendje të mirë shëndetësore, e 28-vjeçarit. Për shkak të një defekti, mjeti lundrues Jet Ski që drejtonte ky shtetas, gjatë natës, ishte fikur në mes të detit dhe rrymat detare e kishin zhvendosur atë, në drejtim të ishullit të Korfuzit”, sqaron policia.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat