Pretendimet e Athinës për çështjen Beleri, “shpërthen” Spahiu: S’ka diskriminim, janë burgosur edhe kryebashkiakë të tjerë

Shqipëria

Pretendimet e Athinës për çështjen Beleri, “shpërthen” Spahiu: S’ka diskriminim, janë burgosur edhe kryebashkiakë të tjerë

Më: 12 gusht 2023 Në ora: 08:05
Fredi Beleri

Juristi Kreshnik Spahiu ka deklaruar se nuk duhet që qeveria shqiptare të cilësohet si diskriminuese në rastin e Fredi Belerit sepse nuk ka kursyer as të vetët. Dje, në një intervistë televizive, ai kujtoi shkarkimin e kryebashkiakut të Kukësit, Safet Gjicit pas video-skandalit erotik dhe shkarkimin e kryebashkiakut të Bulqizës, Lefter Alla pas aferës me tenderat.

“Kemi 3 kryetar bashkish për të cilët është mbajtur një praktikë, njëri pretendon që është me kombësi greke dhe përfaqëson Partinë e të Drejtave të Njeriut, ndërsa dy të tjerët përfaqësojnë partinë në pushtet, Partinë Socialiste. Tani, çfarë mund t’i kërkosh qeverisë së socialistëve në Shqipëri, kur dy kryetarët e vet i ka shkarkuar pa një vendim të formës së prerë të gjykatës? Pra, kjo qeveri, të cilën Athina e akuzon për diskriminim dhe për racizëm, apo për shkelje të të drejtave etnike të minoritetit grek ka mbajtur të njëjtin precedent”, u shpreh Spahiu.

Juristi Kreshnik Spahiu ka deklaruar se pritet që Berisha të protestojë për lirimin e Fredi Belerit duke qenë se bashkë me Metën e mbështetën në kandidaturën për kryebashkiak të Himarës. Ai shtoi se duket sikur koalicioni "Bashkë Fitojmë" po luan me dy porta dhe pavarësisht mbështetjes fillestare, nuk beson se do të marrin pjesë në protestë.

“Të hënën do të zhvillohet protesta. Kam besim që pavarësisht nga ata që do të marrin pjesë, nuk e di nëse do të marrë pjesë koalicioni Berisha-Meta apo do e lënë vetëm aleatin e tyre Belerin, normalisht duhet të merrnin pjesë se e kanë aleat dhe nuk mund ta lënë vetëm, ndonëse që nga 14 maji janë strukur në plazh dhe nuk kanë dalë në asnjë protestë të mundshme. Ndonëse Himara është pranë bregdetit dhe mund t’i zhvillonin të dyja, edhe plazhin, edhe protestën, nuk besoj që do të marrin pjesë sepse duket që luajnë me dy porta. Nga një anë e mbështesin Belerin sepse e vunë kandidat, nga ana tjetër nuk duan të marrin kosto politike të elektoratit të tyre duke bërë sikur nuk e mbështesin maksimalisht”, nënvizoi Spahiu.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat