Arrestimet e SPAK për koncesionin e sterilizimit, Rama: S’do e pengojmë drejtësinë, kudo ku ajo të hyjë, brenda qeverisë

Shqipëria

Arrestimet e SPAK për koncesionin e sterilizimit, Rama: S’do e pengojmë drejtësinë, kudo ku ajo të hyjë, brenda qeverisë

Më: 18 gusht 2023 Në ora: 10:30
Kryeministri Edi Rama

Kryeministri Edi Rama ka reaguar në lidhje me aksionin e fundit nga SPAK për koncesionin e sterilizimit, ku u lëshuan 8 urdhër-arreste, për zyrtarë dhe ish-zyrtarë të MSH-së dhe një biznesmen. Kështu pas hekurave ra ish-zëvendësministri i Shëndetësisë, Klodian Rjepaj dhe biznesmeni Ilir Rrapaj, përfitues i këtij koncesioni që ishte miratuar që prej vitit 2015.

Në një mesazh në ‘Facebook’ Rama ka përshëndetur punën e SPAK dhe të GJKKO-së, ndërsa ka nënvizuar faktin se kjo qeveri nuk do të pengojë kurrë drejtësinë që të bëjë punën e vetë. Ai tha pavarësisht ku do të shkojë drejtësia, ‘brenda qeverisë dhe rrotull saj’.

REAGIMI

Puna e pandërprerë e SPAK-ut dhe GjKKO edhe në gusht meriton respekt e falenderime! Me këtë rast le të rikujtojmë kush e premtoi, filloi dhe mundësoi Reformën në Drejtësi, pas një kohe të gjatë lëngimi të Shqipërisë në batakun e padrejtësisë, kur askush s’kishte guxim as ta mendonte, jo ta bënte drejtësinë të pavarur nga qeveria.
SPAK-u dhe Byroja Kombëtare e Hetimit nuk ranë nga qielli, po erdhën në jetë si shprehje e vullnetit të sinqertë e të palëkundshëm shtetndërtues.

Nuk ishin fjalë të bukura si ato të 100 vjetëve të shkuara me radhë, kur unë dhe Partia Socialiste iu zotuam popullit shqiptar, se do të ndërtojmë një drejtësi të re, të pavarur, europiane, që do t’i japë fund kancerit të pandëshkueshmërisë. Kjo drejtësi sot ka lindur e po rritet përditë, sepse Partia Socialiste e Shqipërisë mbajti zotimin e saj më solemn e më të vështirë për të realizuar, përballë 100 viteve përqeshjeje me drejtësinë në historinë e shtetit shqiptar, kur nuk u prek kurrë dot nga drejtësia asnjë individ i pushtetshëm apo i lidhur me pushtetin, ku drejtësia ishte një shëmtirë e fortë me të dobëtit dhe e dobët me të fortët.
Disa flasin sot sikur SPAK-u është dallga e Zotit dhe qeveria porti i Djallit. Po ata harrojnë se dallgën e drejtësisë e ka ngritur në krye të herës guximi, vullneti dhe ambicia për Shqipërinë e pikërisht kësaj qeverie, e cila ndryshon si dita me natën me ato të mëparshmet e 100 vjetëve pengmarrje të drejtësisë.

Kjo qeveri dhe askush tjetër e hapi me gjoks rrugën e drejtësisë së re dhe kurrë nuk do ta pengojë drejtësinë në rrugën e vet, kudo ku ajo të hyjë, brenda qeverisë, rrotull saj, mbrapa saj apo nën ombrellën e saj. Falë besimit se ky vend bëhet dhe fuqisë së kësaj qeverie për të hequr dorë nga kontrolli i drejtësisë, e për ta mbështetur atë pa kushte kundër korrupsionit e krimit të organizuar, Shqipëria Europiane, që po hedh shtat dita – ditës mes 1000 sfidave, pengesave e vështirësive, do t’i provojë vetes e botës se historia nuk është një mallkim i përjetshëm, se historinë janë vetë njerëzit e çdo gjenerate që e shkruajnë me forcën e ëndrrave, shpresave, këmbënguljes së tyre dhe se në ngjitjen drejt majës që meritojnë brezat që vijnë, këtë vend nuk ka më forcë që ta ndalë të shkruajë një histori të re💪🇦🇱

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat