Bytyçi: Kritikat pa vend, Begaj nuk mund të marrë anën greke në konfliktin midis Ramës dhe Athinës

Shqipëria

Bytyçi: Kritikat pa vend, Begaj nuk mund të marrë anën greke në konfliktin midis Ramës dhe Athinës

Më: 21 gusht 2023 Në ora: 19:44
Bajram Begaj

Profesori i Marrëdhënieve Ndërkombëtare Dr. Enver Bytyçi i konsideron si pavend kritikat që po i bëhen Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj pas refuzimit të ftesës së kryeministrit grek për takimin joformal që po mbahet në Athinë.

Në një postim në Facebook, ai tha se në këtë takim do të duhej të ftohej kryeministri Rama si përfaqësues i Shqipërisë në marrëdhënie ndërkombëtare.

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, mund të kritikohet për shumëçka. Por kritikat dhe sulmet kundër tij në rastin e refuzimit që ai i bëri ftesës së Micotaqisit janë të pavend. Normalisht Micotaqis duhej të ftonte kryeministrin e Shqipërisë për të marrë pjesë në darkën joformale të Athinës me rastin e 20 vjetorit të samitit të Selanikut. Kjo sepse Shqipëria është Republikë parlamentare dhe kryeministri është përfaqësues i saj në marrëdhëniet ndërkombëtare.

Por kryeministri grek, megjithëse gjithnjë ka ftuar Ramën, kësaj radhe preferoi të ftojë presidentin e Republikës. Zoti Begaj e refuzoi me elegancë ftesën, duke thënë se kishte një aktivitet të rëndësishëm në axhendën e tij. Në të vërtetë, edhe sikur të mos kishte agjendë tjetër, presidenti nuk mund të shkonte në këtë mbrëmje formale në Athinë për disa arsye.”, ka thënë Bytyçi.

Për më tepër, ai tha se presidenti Begaj nuk mund të mbajë anën kah Greçia në konfliktin aktual për shkak të Fredi Belerit.

"Së pari, Shqipëria është republikë parlamentare dhe përfaqësimin ndërkombëtar e bën kryeministri. Presidenti nuk mund të bëhet zëvendës i kryeministrit. Së dyti, arsyeja e mungesës së ftesës është burgosja e kryetarit të Bashkisë së Himarës, Fredi Belerit. Nuk i takon presidentit të Shqipërisë të legjitimojë akuzat greke kundër kryeministrit të të njëjtit vend, pra të Shqipërisë, sa i përket çeshtjes Beleri. Nëse presidenti ka rezervat e tij, ai mund të mbajë qëndrim në mbrojtje ose jo të të drejtave apo të drejtës qytetare të Belerit, por nuk mund të marrë anën greke në konfliktin midis Ramës dhe Athinës.

Në këto kushte veprimi i tij është i ekuilibruar, korrekt dhe parimor. Kritikat në këtë rast nuk janë aspak të shëndetshme!”, përfundoi ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat