Shtrenjtohen kamatëvonesat për bizneset, detyrimet tatimore përtej afatit, 2023-shi arrin përqindjen më të lartë të aplikuar në 8 vjet

Shqipëria

Shtrenjtohen kamatëvonesat për bizneset, detyrimet tatimore përtej afatit, 2023-shi arrin përqindjen më të lartë të aplikuar në 8 vjet

Më: 31 gusht 2023 Në ora: 08:05
Foto ilustrim

Rritja e normës bazë të interesit nga Banka e Shqipërisë në 3 % në muajin mars, përpos efekteve që ka sjellë në shtrenjtimin e kredive, ka rritur edhe penalitetet ndaj bizneseve. Bëhet fjalë për ato subjekte të cilat nuk paguajnë detyrimet tatimore në afatet e përcaktuara. Sipas ligjit në fuqi për “Procedurat Tatimore në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, neni 76, “Kur detyrimi tatimor nuk paguhet në afat, tatimpaguesi është i detyruar që, për periudhën nga afati i pagesës deri në datën e pagesës së tatimit, të paguajë kamatëvonesë për këtë shumë. Sipas pikës 3, të po këtij neni “Masa e kamatëvonesës, sipas ligjit të sipërcituar, është 120 për qind e shkallës së interesit ndërbankar të Bankës së Shqipërisë, që përcaktohet çdo tremujor, në bazë të shkallës mesatare të tremujorit paraardhës.

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve publikon dhe përditëson në faqen zyrtare të internetit normën e interesit që aplikon për llogaritjen e kamatëvonesës.

Kështu, nëse do të bëjmë një analizë ndër vite, referuar përditësimeve të bëra nga administrata tatimore, duke nisur që nga 2016 dhe në vijim, vihet re se përqindja e llogaritjes së kamatëvonesave ndaj bizneset, në 2023-shin arrin vlerën më të lartë, e regjistruar në 8.4 për qind. Rritja ka qenë graduale nga Korriku i vitit 2022 dhe deri më tani, ndërsa norma më e ulët është aplikuar nga fundviti i 2020-ës deri në fund të 2021 me 5.4 %.

Sipas ligjit në fuqi, kamatëvonesa paguhet në çdo rrethanë dhe nuk mund të hiqet nga administrata tatimore, as të ankimohet, me përjashtim të rasteve kur ka gabime në llogaritje ose kur detyrimi tatimor, për të cilin zbatohet, ndryshon. Ndërkohë normat e interesit për llogaritjen e kamatëvonesave vijojnë: Norma e interesit 18.10.2016 – 6.3 %; Norma e interesit 05.10.2017 – 6.3%; Norma e interesit 26.10.2018 – 6%; Norma e interesit 29.10.2019 – 6%; Norma e interesit 10.11.2020 5.4%; Norma e interesit 19.10.2021 5.4%; Norma e interesit 22.10.2022 – 6.66% dhe Norma e interesit 06.07.2023 – 8.4%.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat