Çmimet do jenë të larta edhe në 2024, inflacioni i brendshëm, shumë i lartë, me prirje rritëse në maj dhe qershor

Shqipëria

Çmimet do jenë të larta edhe në 2024, inflacioni i brendshëm, shumë i lartë, me prirje rritëse në maj dhe qershor

Më: 9 shtator 2023 Në ora: 07:53
Banka e Shqipërisë

Banka e Shqipërisë ka shtyrë pritjet për rënien e inflacionit në targetin prej 3% përtej gjysmës së parë të vitit 2024, ndërkohë që fillimisht kjo rënie parashikohej të ndodhte me herët. Madje Qeveria muajt e parë të këtij viti kishte qenë edhe më optimiste, duke parashikuar se inflacioni do të binte brenda këtij viti.

Në raportin më të fundit banka e Shqipërisë konkludon se inflacioni vjetor i tremujorit të dytë ishte 4.6%, nga 6.5% i regjistruar një tremujor më parë, ndërkohë që mbeten shumë të larta presionet e brendshme. Banka e Shqipërisë konkludon se ndikimet nga rëniet e çmimeve të mallrave bazë dhe mbiçmimi i monedhës vendase nuk kanë arritur të përhapen gjerësisht tek komponentët e inflacionit të brendshëm, për shkak të presioneve ende të larta nga tregu i punës dhe pagat, por pa reflektuar në masë të madhe rënien e çmimeve të karburanteve dhe të produkteve të importit.

Trajektorja rënëse është diktuar nga rënia e inflacionit në partnerët tanë tregtarë, nga mbiçmimi i monedhës vendase, nga efektet e bazës së lartë krahasuese të një viti më parë si dhe nga rënia e pritjeve për inflacionin. Inflacioni i brendshëm rezultoi rreth 4.6% në tremujorin e dytë, me një prirje rritëse përgjatë muajve të tij, por duke qëndruar nën mesataren e tremujorit të parë të vitit aktual. Sa i përket inflacionit bazë, pas reduktimit të shpejtë në muajin mars (6.5%), inflacioni bazë zbriti në 5.5% në tremujorin e dytë të vitit, me një ngadalësim gradual përgjatë muajve të tij.

Ky zhvillim u përcaktua nga kontributet në rënie të disa ushqimeve të përpunuara pjesë të nën-shportës përkatëse dhe efekteve të bazës së lartë krahasuese të vitit të kaluar. Inflacioni bazë neto rezultoi rreth 3.9% në tremujorin e dytë, vlerë kjo thuajse e njëjtë me atë të tremujorit paraardhës dhe lehtësisht më e lartë se sa ajo e fund-vitit të kaluar. Ky zhvillim tregon se inflacioni i shërbimeve dhe i mallrave të përdorimit afatgjatë mbetet i qëndrueshëm dhe në vlerat më të larta historike.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat