Shuhet pas disa orësh zjarri në pallatin 10-katësh në Tiranë, shoqërohet në polici administratori i ndërtesës

Shqipëria

Shuhet pas disa orësh zjarri në pallatin 10-katësh në Tiranë, shoqërohet në polici administratori i ndërtesës

Më: 15 shtator 2023 Në ora: 09:25
Foto nga vendi i ngjarjes

Është shuar, nga forcat zjarrfikëse pas disa orësh në luftë me flakët, zjarri i rënë mesditën e sotme në një pallat në zonën e ish-parkut të autobusëve në Tiranë.

Zjarri ishte i përmasave të mëdha duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale, në disa apartamente dhe në fasadën e pallatit, fatmirësisht jo në njerëz, ndërsa ende nuk dihet se çfarë e shkaktoi zjarrin.

Administratori i pallatit ndërkohë është shoqëruar në polici për tu pyetur lidhur me rrethanat e ngjarjes ndërsa pritet një deklaratë e drejtorit të zjarrfikësve në Tiranë për të dhënë më shumë detaje.

Në një deklaratë të dhënë për mediat më herët, Shkëlqim Goxhaj konfirmoi se nuk ka banorë të lënduar, ndërsa tha se është ende e paqartë nëse zjarri ka nisur nga kati i dytë i ndërtesës apo nga pjesa e kateve të sipërme.

Ai tha se rasti ishte i rrallë dhe ishte fasada ajo që shpërndau me shpejtësi zjarrin në disa apartamente. 

“Në këto momente nuk mund të flasim për shkakun e zjarrit dhe rezultatet përfundimtare. Do jemi të gjithë këtu deri në përcaktimin e shkakut të zjarrit dhe deri sa të sigurohemi që nuk kemi humbje jete qytetarësh. Zjarri ka qenë i shtrirë në pjesën e jashtme të objektit, dyert janë të blinduara. Të dëmtuara janë vetëm banesat që janë hapur dritaret.

Është dëmtuar fasada e objektit. Zjarret në pallate në Tiranë ndodhin në një banesë dhe në 0.5% të rasteve kur zjarri ka kaluar nga një banesë në tjetër. Ky rast ishte i rrallë dhe ka bërë që këtu të mblidhen të gjithë punonjësit e zjarrfikësit, Tiranës, Vorës dhe Kamzës. Është dashur një kohë e gjatë për të vënë në kontroll. Fasada e objektit e ka përhapur zjarrin. Nuk kemi zjarrfikës të dëmtuar. Situata e zjarrit është nën kontroll. Zjarri ka qenë në katin e dytë të objektit dhe në pjesën e sipërme, por kjo mbetet për tu parë sesi është përhapur zjarri.”-deklaroi Goxhaj më herët.

Pas hetimit të ngjarjes pritet të deklarohet se çfarë e shkaktoi zjarrin dhe kush ishte përgjegjës për ngjarjen e cila mund të merrte përmasa të mëdha.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat