Qeveria marrëveshje me Sllovakinë për tatimin e dyfishtë, Gjonaj: Inkurajim për investime dhe vende pune

Shqipëria

Qeveria marrëveshje me Sllovakinë për tatimin e dyfishtë, Gjonaj: Inkurajim për investime dhe vende pune

Më: 16 shtator 2023 Në ora: 07:58
Kuvendi

Deputetja e Partisë Socialiste, Etilda Gjonaj, deklaroi se pr/ligji për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Shqipërisë dhe Sllovakisë për tatimin e dyfishtë i shërben plotësimit të kushteve dhe rekomandimeve të lëna nga Bashkimi Evropian në kuadër të procesit të integrimit evropian.

Gjatë fjalës në Kuvend ku u diskutua projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Sllovakisë, për eliminimin e tatimit të dyfishtë në lidhje me tatimet mbi të ardhurat dhe parandalimin dhe shmangien e evazionit tatimor”, Gjonaj tha se “integrimi i Shqipërisë në BE vlen jo vetëm për të qenë pjesë e familjes së madhe evropiane, por për transformimin e parë të vendit për konsolidimin e shtetit të së drejtës për zhvillimin dhe rritjen e ekonomisë vendase po ashtu edhe për të integruar vendin tonë në ekonominë e vendeve anëtare të BE-së”.

Gjonaj vuri në dukje se kjo është një marrëveshje që përmban të dyja objektivat në vetvete.

“Në radhë të parë duke krijuar një kuadër të plotë ligjor, duke eliminuar tatimin e dyfishtë për të gjithë individët apo personat juridikë shqiptarë, të cilët ushtrojnë aktivitet biznesi në të dy vendet tona respektivisht, duke reduktuar ngarkesën tatimore për këto biznese që shpeshherë ka krijuar një barrë financiare të tepërt dhe ndikon në ndërprerjen e investimeve apo tregtisë”, theksoi Gjonaj.

Sipas saj, marrëveshje të tilla janë mjet kyç për rritjen e sigurisë, inkurajimin e investimeve të huaja, krijimin e vendeve të punës dhe nxitjen e lëvizjes së lirë të kapitalit të burimeve njerëzore.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat