​Shqipëria merr presidencën e MNRA, Krasniqi: Format e reja të komunikimit nxisin nisma të reja ligjore

Shqipëria

​Shqipëria merr presidencën e MNRA, Krasniqi: Format e reja të komunikimit nxisin nisma të reja ligjore

Më: 28 shtator 2023 Në ora: 11:33
Armela Krasniqi

Shqipëria ka marrë presidencën e radhës të Rrjetit Mesdhetar të Enteve Rregullatore (MNRA), ndërsa ka mirëpritur sot (28 shtator) për herë të parë zhvillimin e Asamblesë Plenare të 22-të.

Diskutimet në Asamble janë përqendruar në sfidat me të cilat përballet mjedisi mediatik në ditët e sotme. Në fjalën e saj, kryetarja e AMA-s, Armela Krasniqi tha se format e reja të komunikimit, kanë nxitur edhe nisma të reja ligjore, teksa përmendi Akti Evropian për Lirinë e Medias, që pritet të miratohet së shpejti nga Këshilli i Evropës.

“Akti Evropian për Lirinë e Medias është një instrument i ri shumë i dobishëm i Bashkimit Evropian për mbrojtjen e pluralizmin dhe pavarësisë së medias. Pavarësisht se ky Akt ende nuk ka hyrë në fuqi, ai fokusohet në pavarësinë e mediave, por edhe në transparencën e pronësisë së medias dhe të shpërndarjes së reklamave publike. Ai përcakton masat për mbrojtjen e pavarësisë së redaktorëve dhe zbulimin e konflikteve të interesit”, u shpreh Krasniqi .

Kryetarja e AMA-s theksoi po ashtu edhe nevojën e rregullimit të funksionimit të platformave të shpërndarjes së videove, teksa shtoi se po zhvillohen qasje të reja në këtë drejtim, raportoi RTSH.

Ndalur te situata në vendin tonë, Krasniqi u shpreh se ka një ndërgjegjësim të qytetarëve në lidhje me të drejtat e tyre, teksa bëri me dije se vetëm gjatë këtij viti, janë depozituar 300 ankesa.

“Gjatë këtij viti janë administruar më shumë se 300 ankesa, që dëshmon rritjen e ndërgjegjësimit të qytetarëve. AMA do ta shtojë komunikimin për edukimin e mëtejshëm të publikut për një audiencë të mirë orientuar”, tha kryetarja e AMA-s.

Në takimin e nivelit të lartë janë të pranishëm krerët e enteve rregullatore të vendeve anëtare të MNRA-së, presidenti i ERGA-s, Xhakomo Lasorela (Giacomo Lasorella), përfaqësues të platformës së Facebook, Tik-Tok, përfaqësues nga UNESCO etj.

Rrjeti Mesdhetar i Autoriteteve Rregullatore (MNRA) daton që nga 1997, ndërsa numëron 27 anëtarë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat