Kreu i RASH: Degët e rrezikuara? Duhet të merren masa, të ndryshojë oferta akademike

Shqipëria

Kreu i RASH: Degët e rrezikuara? Duhet të merren masa, të ndryshojë oferta akademike

Më: 3 tetor 2023 Në ora: 14:49
Arjan Xhelaj

Arjan Xhelaj, drejtor i Përgjithshëm i Rrjetit Akademik të Shqipërisë, ka folur sot në News24 për nisjen e vitit të ri akademik.

Xhelaj mohoi rënien e numrit të studentëve dhe tha se këtë vit janë rreth 700 më shumë nga viti i kaluar. Sipas tij, është rritur oferta akademike, ka më shumë programe.

“Pozitivisht e vlerësoj nisjen e vitit të ri akademik. Kemi rreth 20 maturantë që ulen për herë të parë, 600-700 studentë më shumë se vitin e kaluar. Kemi një potencial rreth 3 mijë maturantësh që janë pjesë e portalit dhe mund të aplikojnë. Janë 19837 maturantë të regjistruar në fund të raundit të dytë. Shifra është me lartë se vitin e kaluar, nuk mund të jetë më e ulët se vitin e kaluar. Por kemi akoma 15 ditë”, tha Xhelaj.

Sa i përket degëve të rrezikuara, ai u shpreh se kjo ndodh në të gjithë botën, por se duhet të mbështeten ata që kanë prirje në këtë fusha.

“Janë disa programe të veçanta, fusha të veçanta që ndër vite kanë rezultuar më pak studentë të regjistruar, siç janë shkencat e natyrës. Janë degë që në të gjithë botën nuk është se studentët vërshojnë drejt tyre.

Ne duhet të bëjmë të mundur që njerëzit e prirur në këto fusha të kenë mbështetje.

Në mësuesi kemi një shifër të lartë prej 1800 aplikantësh. Duhet të kemi parasysh që numri i atyre që hyjnë duhet të jetë i njëjta pak a shumë me ata që dalin”, u shpreh Xhelaj.

Sipas tij, për degë të veçanta në Universitete në rrethe duhet të ndryshojë oferta akademike. Megjithatë ai tha se nuk është vetëm bachelori, por dhe masteri apo kërkimet shkencore që bëjnë departamentet e veçanta, duke iu referuar atij të Historisë në Shkodër që kishte vetëm 2 studentë këtë vit apo në Korçë, ku janë mbyllur sociologjia, filozofia.

“Nëse në vite disa degë të tilla kanë kërkesë të ulët, duhet të merren masa, të ndryshojë oferta akademike.

Duhet më shumë shtysë për kërkimin inovacion dhe punësimin e atyre që dalin nga bankat”, tha ai.

Sa i përket rankimit të Universitetit të Tiranës, Xhelaj thekoi se është shumë shpejt për të analizuar një rankim dhe duhet parë dhe numri i universiteteve të rankuara.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat