“PS ka rrëmbyer votën nga qytetarët”, Boçi: Bashkimi i demokratëve prevalon

Shqipëria

“PS ka rrëmbyer votën nga qytetarët”, Boçi: Bashkimi i demokratëve prevalon

Më: 5 tetor 2023 Në ora: 17:34
Luçiano Boçi

Luçiano Boçi, i ftuar në studion e News24 ka folur në lidhje me zhvillimet e fundit në opozitë, teksa është shprehur se bashkimi i demokratëve prevalon, duke iu referuar takimeve të fundit mes deputetëve të Sali Berishës dhe atyre të Gazment Bardhit.

Sa i përket rezultatit të zgjedhjeve të përsëritura në Kukës, ai u shpreh se vota është kriminalizuar dhe rrëmbyer nga qytetarët nga ana e Partisë Socialiste, teksa iu referua edhe raportit të fundit të OSBE për zgjedhjet e 14 majit.

Ai shtoi se protestat e opozitës duhet të vazhdojnë dhe të jenë solide, ndërsa njoftoi se protesta e radhës do të përcaktohet nga organet drejtuese partiake dhe se deri tani nuk ka një datë konkrete.

“Ne jemi e njëjta parti, nuk mund ta quajmë bashkëjetesë me Bardhin. Bashkimi i demokratëve prevalon. Berisha ishte larguar nga drejtimi i PD dhe kishte mbështetur zotin Basha në rrugëtimin e tij opozitar që nuk solli gjë. Çështja nuk mund të lihej në dorën e tij dhe duhej një shkëndijë si shpallja non-grata që solli rikthimin e tij. Ai ka ardhur në një rikthim politik për fatet e PD-së. Baza e PD nuk e pranoi shpalljen e tij non-grata dhe u rreshtua krahas historisë së PD.  Unë kam qenë pjesë e negociatave 2-vjeçare për të arritur bashkimin.

Pas rezultatit në Kukës ka një pikëpyetje se çfarë ndryshoi për 2 muaj në Kukës që të ishte ai rezultat. Skandali ishte dhunimi i institucionit që i shërben qytetarit. Dihet si e merr votën PS, madje ish-kryebashkiaku ka qenë nga blerësit më të mëdhenj të votës.

Kukësi është bashkia më e varfër, aeroporti që u shit si sukses është jashtë funksionit dhe nuk kishte arsye për votimin e kreut të mazhorancës. Këto arsye sjellin kriminalizimin e votës. Në raportin e OSBE u tha që shteti ka përdorur forcën ekonomike dhe presionin për të rrëmbyer votën nga qytetari, sidomos në bashkitë më të vogla.

Kemi zhvilluar protesta të mëdha dhe me impakt politik. Protestat duhet të vazhdojnë dhe të jenë solide. Ato duhet të nisin dhe të arrijnë objektivin dhe qëllimin e tyre. Opinioni publik shpërndahet pas spinimit mediatik me qëllim që qytetari të humbasë orientimin. Parlamenti është marrë peng, aq peng sa kryeministri nuk vjen fare dhe nuk i intereson. Protesta e radhës do përcaktohet nga organet drejtuese të partisë. Këshilli Kombëtar do mblidhet, por ende nuk ka një datë konkrete.

Kosova është shtet dhe është e njëjtë si në veri dhe si në jug. Të përdorësh koncepte të tilla është e qëllimshme. Ndaj Osmani është e qartë kur thotë se duhet sanksionim dhe më pas dialog, ndërsa Rama kërkon vetëm dialog”, u shpreh ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat