AMF konferencë ndërkombëtare për sigurimet, ministri Mete: Tregu drejt zhvillimit, përafrim i plotë me standardet evropiane

Shqipëria

AMF konferencë ndërkombëtare për sigurimet, ministri Mete: Tregu drejt zhvillimit, përafrim i plotë me standardet evropiane

Më: 18 tetor 2023 Në ora: 10:18
Ministri i Financave dhe Ekonomisë Ervin Mete

Ministri i Financave dhe Ekonomisë Ervin Mete ka marrë pjesë ditën e sotme në konferencën e AMF për sigurimet shoqërore, nga ku ka deklaruar se shtysë kryesore për zhvillimin e këtij tregu tashmë do të jetë përafrimi i plotë me standardet evropiane.

Ai u shpreh se zhvillimi i mëtejshëm i tregut, diversifikimi i tij dhe përfshirja më e gjerë financiare do të kenë fokus kryesor.

“Nga ana tjetër, i gjithë rajoni është i ekspozuar ndaj katastrofave natyrore dhe ndryshimeve të klimës. Sigurimi nga katastrofat dhe sigurimi në bujqësi janë në vëmendje të rregullatorëve rajonalë, por edhe atyre ndërkombëtarë”, theksoi ai.

Deklarata e plotë:

Është kënaqësi e veçantë për mua t’ju drejtohem në këtë konferencë për tregun e sigurimeve, e para e këtyre përmasave dhe e këtij formati në Shqipëri. Kjo edhe për faktin se kur caktuam datën dhe nisëm përgatitjet për organizimin, unë mbaja funksionit e Drejtorit Ekzekutiv të AMF, ndërsa sot ju drejtohem si Ministër i Financave dhe Ekonomisë.

Ka pasur një trend pozitiv zhvillimi të tregut të sigurimeve në Shqipëri përgjatë viteve të fundit, bazuar edhe mbi avancimet domethënëse ligjore dhe rregullatore, të përafruar në masë të gjerë me Direktivat e BE, si edhe bazuar mbi forcimin e rolit dhe pavarësisë së Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare. Ashtu siç ka pasur edhe përmirësime të ndjeshme në treguesit kyç të këtij sektori, siç janë kapitali dhe mbulimi me provigjone. Gjithashtu, zbatimi i ligjit të ri për sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit ka sjellë një sërë zhvillimesh pozitive në segmentin që zë peshën kryesore në tregun e sigurimeve.

Përparimet e viteve të fundit u vlerësuan edhe nga Organizata Ndërkombëtare e Mbikëqyrësve në Sigurime (IAIS), e cila konstatoi një shkallë të lartë përputhshmërie me Parimet Themelore Ndërkombëtare (ICP) sa i përket një sërë komponentësh kyç si baza ligjore e rregullatore, pavarësia institucionale, procedurat e licencimit dhe praktikat mbikëqyrëse. Sigurimet janë pjesë e rëndësishme e sektorit financiar, me kontribut në promovimin e stabilitetit dhe zhvillimit ekonomik. Ato mund të ulin impaktin e goditjeve në ekonomi, si edhe të rrisin përfshirjen financiare.

Diversifikimi dhe zhvillimi i tregut të sigurimeve është i një rëndësie të veçantë, pasi ndikon drejtpërdrejt në një sërë faktorësh, që kanë të bëjnë me zhvillimin e tregjeve financiare, progresin ekonomik të vendit, si edhe sigurinë e qytetarëve dhe bizneseve.

Shtysë kryesore për zhvillimin e këtij tregu tashmë do të jetë përafrimi i plotë me standardet evropiane. Udhërrëfyesi i miratuar në bashkëpunim me Bankën Botërore drejt regjimit Solvency II, rregullat e Standardeve Ndërkombëtare të Raportimit Financiar IFRS 17, që pritet të hyjnë në fuqi në fillim të vitit 2025, si edhe më gjerë baza rregullatore evropiane do të jenë përcaktuese për zhvillimin e sektorit të sigurimeve në të gjithë rajonin.

Ndaj, do të jetë kënaqësi të dëgjoj diskutimet e rregullatorëve nga rajoni dhe EIOPA për të ndarë objektivat dhe sfidat lidhur me këtë çështje.

Në këtë rrugë evropiane, zhvillimi i mëtejshëm i tregut, diversifikimi i tij dhe përfshirja më e gjerë financiare do të kenë fokus kryesor.

Nga ana tjetër, i gjithë rajoni është i ekspozuar ndaj katastrofave natyrore dhe ndryshimeve të klimës. Sigurimi nga katastrofat dhe sigurimi në bujqësi janë në vëmendje të rregullatorëve rajonalë, por edhe atyre ndërkombëtarë.

Siç jeni në dijeni, Shqipëria u përball në vitin 2019 me një tërmet me pasoja të rënda, me efekte shkatërrimtare dhe humbje jete. Dëmet e shkaktuara u vlerësuan në rreth 1.1 miliardë euro, ose 7.5% e PBB-së. Nga këto, shoqëritë e sigurimit paguan rreth 40 milionë euro dëme për qytetarët dhe bizneset e dëmtuara.

Ndërsa për pjesën tjetër, nga viti 2020 deri aktualisht, nga buxheti i shtetit janë shpenzuar afro 890 milionë euro, për procesin e rindërtimit dhe për pagesat e bonusit të qerasë. Tërmeti nxori në pah një tjetër aspekt, që sigurimi vullnetar i banesave është në nivele shumë të ulëta dhe në pjesën më të madhe i diktuar nga bankat për kreditë hipotekore.

Nisur nga sa më sipër, vlerësohet i domosdoshëm përcaktimi i mekanizmave të mbrojtjes dhe transferimit të rrezikut. Ndaj, me mbështetjen e Bankës Botërore, po shqyrtojmë opsionet më të mira për zhvillimin e një programi kombëtar për sigurimin nga tërmetet.

Kjo konferencë do të diskutojë më në detaje për këtë temë, por është e rëndësishme që ky sigurim të jetë me kosto të përballueshme për qytetarët dhe të bazohet në standardet më të mira të menaxhimit të rrezikut.

Po ashtu, bujqësia është një nga sektorët e rëndësishëm të ekonomisë sonë, që rezulton në masë të madhe e ekspozuar ndaj ndryshimit të kushteve klimatike. Sigurimi i bujqësisë mund të ishte një mjet i rëndësishëm i menaxhimit të rrezikut që ndihmon fermerët të mbrohen nga humbjet financiare për shkak të fatkeqësive natyrore dhe kushteve klimatike. Ky sigurim është pak i zhvilluar në Shqipëri, ndaj ndarja e eksperiencave më të mira në këtë drejtim do të ishte e dobishme për një avancim sa më të mirëmenduar.

Zhvillimi i sektorit të sigurimeve, avancimi drejt standardeve më të mira ndërkombëtare dhe harmonizimi i kuadrit rregullator me direktivat evropiane janë procese që kërkojnë angazhim të përbashkët, ndaj Ministria e Financave dhe Ekonomisë do të mbështesë përpjekjet dhe iniciativat që shkojnë në këtë drejtim.

Vlerësoj se kjo konferencë do të shërbejë si një platformë e rëndësishme për rregullatorët, ekspertët dhe drejtuesit e shoqërive të sigurimit për të ndarë eksperiencat, njohuritë dhe sfidat për zhvillimin e mëtejshëm të këtij sektori.
Shumë suksese dhe shumë Faleminderit!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat