Berisha: Sot fillojmë qëndresën tonë në Parlament, nuk ndalemi deri në triumfin e Kushtetutës

Shqipëria

Berisha: Sot fillojmë qëndresën tonë në Parlament, nuk ndalemi deri në triumfin e Kushtetutës

Më: 19 tetor 2023 Në ora: 10:45
Sali Berisha

Pasi deputetët e opozitës bllokuan karriget e ministrave, kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha ka thënë se sot opozita fillon qëndresën në Kuvend deri në fitoren e Kushtetutës.

Ai mbajti një fjalë duke e transmetuar live në Facebook, ku renditi disa nisma të opozitës për komisione hetimore parlamentare të cilat sipas tij janë bllokuar nga mazhoranca.Berisha tha se opozita kërkon të respektohen të drejtat e opozitës në Parlament.

“Deputetët e opozitës fillojnë sot qëndresën e tyre permanente. Sepse ky parlament është shndërruar në një institucion personal të Edit, Edi Ramës dhe Lindës së Parlamentit që e drejton këtë institucion në mënyrën më amorale, më antikushtetuese. Unë ju rikujtoj se ne deputetët që përfaqësojmë qytetarët shqiptarë që kanë votuar kundër kësaj qeverie, kemi dorëzuar në parlament gjatë këtyre 2 viteve, 31 ligje dhe rezoluta, të cilat Edi Rama me Lindën e tij i mban në sirtar dhe nuk lejon që ato të vijnë të shqyrtohen, diskutohen në Parlament.

Së dyti, në emrin tuaj, të qytetarëve opozitarë, deputetët e opozitës në mënyrë të vazhdueshme kërkojnë në komisione paraqitjen e ministrave dhe ata me urdhër të Edi Ramës refuzojnë të paraqiten duke shkelur Kushtetutën dhe ligjet e vendit.

Së treti, pas komisionit hetimor parlamentar të djegësave në të cilën Edi Rama, ministrat dhe një pjesë e madhe e nomeklaturës së krimit dilte i implikuar, deputetëve të opozitës u është hequr e drejta e krijimit të komisioneve parlamentare në kundërshtim me Kushtetutën, janë kthyer deri sot 5 nisma, 5 kërkesa për krijimin e komisioneve hetimore parlamentare. U refuzua kërkesa e komisionit hetimor parlamentar për McGonigal. Një nga veprimtaritë më të shëmtuara më kriminale në të cilën Edi Rama, Dorian Duçka, Charles McGonigal dhe Agron Neza kanë vepruar si një grup i strukturuar kriminal. Ata kanë abuzuar me pushtetet e tyre dhe janë vërsulur në manipulim dosjesh dhe shpifjesh për opozitën. Kanë instaluar në Shqipëri sistemin e gjobvënies ndaj biznesmenëve të vendit, ndërkohë që McGonigal ishte në detyrë shef i kundërzbulimit të FBI në SHBA.

I drejtohet sallës: Pushoni ju aty se do ju nxjerrim jashtë fare, pusho ti Çuçi.

Deputetët e opozitës kanë paraqitur me të gjitha firmat.

I drejtohet nënkryetares së Kuvendit Ermonela Felaj: Bërtisni sa të doni por unë po komunikoj me qytetarët. Nuk është parlamenti Prokuroria e Tiranës. Ke futur 5 familjarë të tu në prokurori, mbylle gojën mos fol fare. Ja kjo delikuente që flet këtu ka patur burrin peng nga bandat se i kishte gjobitur kur ishte prokurore. Ka 4 familjarë të saj në Prokurorinë e Tiranës, kjo bën ligjin.

Komisioni tjetër parlamentar i cili nuk u lejua është komisioni për Butrintin. Vjedhja më e madhe që mund t’i bëhet këtij kombi. Në parkun kombëtar, në një mrekulli të vërtetë, vetëm e vetëm që Edi Rama me mafien dhe drogën e tij ta mbulojë atë.

Së katërti, komisioni për zbatimin e ligjit të konfliktit të interesit. Nga Edi Rama e poshtë që të gjithë janë lukunia e tenderave dhe prokurimeve. Taulant bego yaris vetë ka kryer 54 udhëtime me pasaportën diplomatike të parlamentit për t’i fshehur atij ngarkesat e drogës në mbarë Europën.

Komision tjetër parlamentar ishte komisioni i patronazhistëve.

Parlamenti faktikisht ka asgjësuar opozitën.

Qytetarët duhet ta dinë se sot ne nisim qëndresën tonë në këtë sallë për t’u ndalur deri në triumfin e Kushtetutës, ligjit dhe votës së lirë të shqiptarëve”.

Seanca parlamentare sot dështoi që të zhvillohej pasi deputetët e opozitës bllokuan karriget e ministrave duke kërkuar respektimin e të drejtave të tyre. Në këto kushte, nënkryetarja e Parlamentit Ermonela Felaj njoftoi mbylljen e seancës së sotme parlamentare.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat