Kapën në flagrancë duke prerë dru në mënyrë të paligjshme, në hetim 6 shtetas

Shqipëria

Kapën në flagrancë duke prerë dru në mënyrë të paligjshme, në hetim 6 shtetas

Më: 2 nëntor 2023 Në ora: 09:43
Pamje nga vendi i ngjarjes

6 shtetas janë vënë në hetim nga policia pasi janë kapur duke prerë dru në mënyrë të kundraligjashme në Bulqizë dhe në Mat.

Policia njofton se nga shërbimet e policisë në Bulqizë, në pyllin e fshatit Çerenec, kanë kapur duke prerë lëndë drusore në kundërshtim me ligjin 4 shtetas dhe konkretisht V.Gj., 50 vjeç; M.Gj., 48 vjeç; P. Gj., 57 vjeç; P.Gj., 68 vjeç, të gjithë banues në Bulqizë. Nga veprimet e kryera ka rezultuar se këta shtetas në  mënyrë të organizuar,  prisnin lëndë drusore dhe e grumbullonin brenda zonës pyjore, me qëllim fshehjen nga kontrolli i policisë dhe transportimin e saj me kafshë pune.

Po ashtu shërbimet e Komisariatit të Policisë Mat, në pyllin e fshatit Lis, kapën shtetasit E.B., 22 vjeç dhe E.B., 20 vjeç (vëllezër),  duke transportuar një sasi lënde drusore të cilën e kishin prerë në kundërshtim me ligjin.

Për këto dy raste, u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për 6 shtetasit e lartëpërmendur për veprën penale "Prerja e paligjshme e pyjeve", kryer në bashkëpunim.

Gjithsej, u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 23 m³ lëndë drusore, dy motosharra dhe një mjet zetor. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër,  për veprime të mëtejshme.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat