Moti i keq krijon probleme në gjithë vendin

Shqipëria

Moti i keq krijon probleme në gjithë vendin

Më: 8 nëntor 2023 Në ora: 12:29
Foto ilustrim

Moti i keq me reshje të dendura shiu ka përfshirë sërish gjithë territorin e vendit, duke shkaktuar probleme me përmbytjet dhe qarkullimin. Shirat me intensitet të lartë përfshinë mëngjesin e së mërkurës Tiranën, çka solli prani të madhe të ujit.

Në disa rrugë pati edhe përmbytje, çka vështirësoi qarkullimin e automjeteve. Thuajse në gjithë qytetin rrugët ishin të bllokuara, ndërsa automjetet pavarësisht angazhimit të policisë qëndruan për disa orë në trafik.

Me një situatë të vështirë u përball edhe Durrësi, ku reshjet nisën që nga orët e para të mëngjesit të sotëm. Për pasojë rrugët pranë kryqëzimit të stadiumit në lagjen 17, si dhe pjesërisht në lagjen 18, u bën të pakalueshme.

Menjëherë niveli i ujit arriti të dalë në trotuare duke sjellë vështirësi në qarkullimin e automjeteve dhe kalimtarëve në zonat e përmbytura. Si pasojë e motit të keq dalja e mjeteve lundruese të tonazhit të lehtë dhe anijet e peshkimit do jetë i pezulluar.

Reshjet me intensitet të lartë sollën probleme edhe në qarkun e Lezhës, ku përroi i Zmejës në Rrëshen doli nga shtrati dhe përmbyti disa banesa. Për rrjedhojë uji shkaktoi dëme të mëdha në pajisjet elektroshtëpiake dhe mobiliet nëpër shtëpitë ku vërshoi uji.

Si pasojë e prurjeve të larta të përrenjve në aksin në aksin Skuraj-Burrel pati rënie të inerteve çka solli bllokimin e përkohshëm të rrugës. Gjithashtu probleme për shkak të rënies se inerteve në rrugë pati edhe në fshatin Shkopet dhe Delbnisht, çka solli probleme me lëvizjen e automjeteve.

Me një situatë të vështirë për shkak të reshjeve u përball këtë mëngjes edhe Vlora, ku uji në rrugë arriti në disa centimetra. Për rrjedhojë pati vështirësi në qarkullimin e automjeteve dhe këmbësorëve. Autoritetet raportojnë se niveli i lumenjve në gjithë vendin është rritur, por deri më tani asnjë prej tyre nuk rrezikon të dalë nga shtrati.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat