Spahiu: SPAK po heton Metën mbi disa prova të ardhura nga prokuroria çeke

Shqipëria

Spahiu: SPAK po heton Metën mbi disa prova të ardhura nga prokuroria çeke

Më: 8 nëntor 2023 Në ora: 22:42
Kreshnik Spahiu

Juristi Kreshnik Spahiu tha se në lidhje me çështjen e CEZ-DIA, për të cilën u pyet sot në SPAK kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, kanë ardhur dy letër-porosi nga Çekia.

Në një intervistë për emisionin “Now” ai tha se prokuroria çeke mund të ketë dërguar prova të reja për këtë rast ndaj edhe prokuroria speciale është vënë sërish në lëvizje për këtë çështje.

“Në dijeninë  time kanë ardhur dy letër-porosi nga Çekia. Letër-porosia detyrimisht i dërgohet organit hetimor të vendit përkatës. Prokuroria çeke mund të ketë dërguar prova të reja në lidhje me këtë çështje të cilat e kanë detyruar prokurorinë speciale që të vërë sërish në lëvizje këtë çështje”, tha Spahiu.

I pyetur nëse mund të ngrihet një akuzë nga këto letër-porosi, juristi tha se kjo është në varësi të provave që mund të ketë dërguar gjykata.

“Ajo varet nga provat që mund të kenë dërguar nga Çekia. Provat i vlerëson gjykata. Këtë e kam thënë edhe për çështjen e  Berishës, kur flitet ka apo nuk ka prova. Sot për sot s’ka prova, por prokuroria mjafton të ketë disa dyshime të arsyeshme për të ngritur hetimet”, tha Kreshnik Spahiu.

Kujtojmë se dosja CEZ-DIA për të cilën është thirrur në SPAK, Ilir Meta është një nga më të vjetra në Prokurorinë e Posaçme dhe e udhëheq vetë kreu i SPAK Altin Dumani.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat