Përkeqësimi i motit, rikthehen lundrimet në Adriatik për tragetet Durrës-Bari

Shqipëria

Përkeqësimi i motit, rikthehen lundrimet në Adriatik për tragetet Durrës-Bari

Më: 18 nëntor 2023 Në ora: 14:30
Foto nga vendi i ngjarjes

Pas pezullimit 24 orësh të lundrimeve nga Durrësi drejt Barit dhe anasjelltas, mbrëmjen e së shtunës tragetet e linjës Durrës-Bari do të vijojnë lundrimet e tyre.

Lajmi është konfirmuar këtë mesditë nga Kapiteneria e portit detar të Durrësit, ndërsa nuk ka ende një konfirmim deri në këtë moment nga autoritetet detare për nisjen e trageteve edhe nga porti italian i Barit drejt portit më të madh shqiptar.

Përkeqësimi i motit, veçanërisht në det të hapur, me një erë të fortë dhe det të dallgëzuar deri në 8 ballë çoi në marrjen e vendimit për pezullimin e përkohshëm të lundrimit për tragetet e linjës Durrës-Bari dhe anasjelltas.

Natën e kaluar tragetet e kësaj linje nuk u nisën nga të dyja brigjet e Adriatikut.

Të shtunën kushtet atmosferike janë më të qeta në brigjet e Adriatikut lindor, ku era që fryn nga veriu nuk shkakton probleme për lundrimin e trageteve nga Durrësi drejt Barit.

Gjithsesi deti vijon të jetë i dallgëzuar dhe lundrimi vijon i pezulluar për anijet e peshkimit dhe mjetet e vogla lundruese, të cilat duhet të presin qetësimin e motit për të rinisur lundrimet. Drejtoria e Përgjithshme Detare bën me dije se situata detare është në monitorim dhe për çdo ndryshim të kushteve atmosferike që ndikon lundrimin, do të ketë një komunikim nga autoritetet për publikun.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat