Çupi: Ja si Berisha po tenton që nëpërmjet dhunës dhe presioneve t’i shpëtojë arrestimit për dosjen “Partizani”

Shqipëria

Çupi: Ja si Berisha po tenton që nëpërmjet dhunës dhe presioneve t’i shpëtojë arrestimit për dosjen “Partizani”

Më: 8 dhjetor 2023 Në ora: 08:48
Frrok Çupi

Analisti Frrok Çupi komentoi ditën e djeshme zhvillimet e fundit politike. I ftuar në një studio televizive, ai e krahasoi “Foltoren” e drejtuar nga ish-kryeministri Sali Berisha me Naim Murselin në Kosovë, i cili është arrestuar dhe dyshohet se është porositësi i vrasjes së njeriut më të afërt, gruas së tij.

Këtë krahasim Çupi e bëri për të thënë se deputetët e opozitës po kryejnë sjellje dhe akte, që po e “vrasin” jetën normale të parlamentit shqiptar. Sipas tij, me këto aktet e rrëmujshme, deputetët e opozitës po “vrasin” parlamentarizmin dhe demokracinë. “Foltorja është si Naim Murseli, i cili ka paguar dhe ka bërë manovra për të vrarë njeriun më të afërt të vetin. Këta deputetë gjënë me të afërt që kanë është Kuvendi, për atë parlament janë betuar. Këta nuk jetojnë në republikë. Vrasin parlamentarizmin dhe demokracinë dhe përfaqësimin e njerëzve dhe është tronditëse po ta shikosh kështu”, tha ai.

I pyetur se si e shikon propozimin e PS për përjashtim me 60 ditë nga Kuvendi për të gjithë ata deputetë që bëhen protagonistë të dhunës dhe sherrit në Kuvend, Çupi tha se kjo është një masë, e  cila mbron në thelb Kuvendin dhe jetën parlamentare.

“Këto janë disa akte nënligjore, janë disa masa për të mbrojtur parlamentin dhe për të mbrojtur shtetin. Kur s’kanë qenë këto masa, sjellje të tilla kanë qenë tragjike”, tha Çupi.

Ai u shpreh se opozita po kryen këto veprime të rrëmujshme për t’i bërë presion drejtësisë, pasi kjo e fundit ka kaluar në veprime aktive duke akuzuar Sali Berishën për korrupsion në dosjen e privatizimit të ish-kompleksit sportiv Partizani. “Sjelljet ndaj parlamentit dhe të politikës ndaj drejtësisë janë si ajo pula vezën apo veza pulën, që do të thotë se pjesa e dhunshme e parlamentit po luftoni me të gjitha mjete antiligjor, por po lufton për t’i bërë presion drejtësisë”, tha ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat