Betlehemi i gjallë, fëmijët e Shkodrës improvizojnë fshatin ku ka lindur Jezu Krishti. Klerikët: Lindja e Krishtit, festë e rëndësishme

Shqipëria

Betlehemi i gjallë, fëmijët e Shkodrës improvizojnë fshatin ku ka lindur Jezu Krishti. Klerikët: Lindja e Krishtit, festë e rëndësishme

Më: 23 dhjetor 2023 Në ora: 22:45
Pamje nga vendi i ngjarjes

Improvizojnë fshatin Betlehem dhe periudhën kur ka lindur Jezus Krishti. Sapo futesh në oborrin e Katedrales së Shkodrës, fillon edhe ndihesh sikur je në një libër historie.

Një Betlehem të gjallë, kështu e kanë quajtur fëmijët.

Për Arqipeshkvin e Dioqezës Shkodër-Pult, Imzot Angelo Massafra ky event është një ngjarje e rëndësishme në prag të vigjiljes së lindjes së Krishtit.

Ushtarët romakë të cilët në fshat ruajnë rendin, në këtë mënyrë të vendosur ata krijojnë një frymë të kohës së lindjes së Krishtit, duke sjellë tek vizitorët e shumtë edhe mënyrën e sundimit. Nga ana tjetër, qytetarët kuriozë afrohen dhe shohin nga afër secilën nga shtëpitë e improvizuar të fshatit të Betlehemit. Ndërsa ka edhe nga ata që kanë futur edhe dicka nga tradita shqiptare.

“Për të pjekur raki nuk është vonë, këtë traditë e ka pasur malësia. Rakia është pjekur kur ka pushuar vala edhe është qetësuar bersia, e jo ta vjelësh sonte dhe ta ndash nesër, për të bërë verë e rrush e kumbulla. Rakia ka dalë qelibar”.

Janë simbolika të rëndësishme për Krishtlindje, pasi gjitha kishat dhe shtëpitë e të krishtëreve vendosin Betlehemin siç quhet shpella e improvizuar ku ka lindur Krishti.

Dëshira për të përkujtuar lindjen e Krishtit u realizua në vitin 1223, pas udhëtimit të Shën Françeskut në Palestinë. Ai i kërkoi Giovanni Velita-s, t’i vinte në dispozicion pyjet, ku mund të kremtonte Krishtlindjen në mënyrën më të vërtetë të mundshme, duke vënë në pah konkretisht varfërinë dhe vështirësitë, në të cilat lindi Krishti fëmijë.

Lindja e Krishtit është festa më e rëndësishme e besimit të krishtërë së bashku me Pashkët, diten e ringjalljes, dhe kjo edhe për besimtarët është shumë e rëndësishme.

“Kjo pjesëmarrje është tradita e fesë katolike e mbarë botës, pra na festojmë sot e mot siç kemi festuar historikisht dhe nuk kemi qenë kurrë më mirë, duke festuar gjithë së bashku me Krishtin dhe me engjëjt, duke parë rini këtu, e ne bashkë me ta e bekimin e zotit paçim të gjithë”.

Që nga viti 1223, për meritë a për “faj” të shën Françeskut të Asizit, në çdo shtëpi, ndërtohen skena të vogla të lindjes së Krishtit, që kujtojnë Betlehemin, shpellën, e përvuajtur, ku lindi Jezus Krishti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat