Federata Evropiane e Gazetarëve: Kthejini materialet gazetarit Qyno. SJ: Përmbahuni nga nisja e këtyre çështjeve

Shqipëria

Federata Evropiane e Gazetarëve: Kthejini materialet gazetarit Qyno. SJ: Përmbahuni nga nisja e këtyre çështjeve

Më: 4 janar 2024 Në ora: 21:14
Elton Qyno

Federata Europiane e Gazetarëve, ka reaguar sërish lidhur me rastin e paprecedentë të sekuestrimit nga SPAK të pajisjeve të gazetarit investigativ, Elton Qyno.

Reagimi i kësaj federate, e cila është organizata më e madhe e gazetarëve në Evropë, vjen përmes Ricardo Gutierrez, Sekretarit të Përgjithshëm, i cili shpreh shqetësimin e tij për rastin në fjalë, ku një gazetari i kanë marrë në mënyrë të paligjshme, pajisjet e punës dhe sendet personale dhe familjare, me qëllimin e vetëm të zbulimit të burimeve.

Sekretari i Federatës Evropiane të Gazetarëve, shprehet duke mbështetur thirjen e "Reporterëve pa kufij", të cilët kërkojnë nga Gjykata speciale e Apelit, të urdhërojë SPAK ti kthejë të gjitha sendet e punës dhe personale gazetarit të "Ora News" Elton Qyno.

Në reagimin e sekretarit të federatës thuhet se: "...Federata Evropiane e Gazetarëve i bashkohet "Reporterëve pa kufij" në thirrjen e gjykatës speciale të apelit që të urdhërojë kthimin e pajisjeve të Elton Qynos. #Mbrojtja e Burimeve...".

Të njëjtën thirrje drejtuar gjykatës speciale të Apelit, e shpërndau në platformën "X" dhe vetë Federata Evropiane e Gazetarëve, e cila kërkoi kthimin e materialeve dhe sendeve të punës.

Në reagimin e tyre përmes platformës “X”, “Reporterët pa Kufij” shkruajnë si më poshtë vijon:

“...Shqipëri: Sekuestrimi i aparaturave të gazetarit Elton Qyno nga prokurorët antikorrupsion pas raportimit të tij për krimin e organizuar, kërcënon fshehtësinë e burimeve konfidenciale.

“Reporterët pa kufij” i kërkon Gjykatës së Posaçme të Apelit, e vendosur në 5 janar, të urdhërojë kthimin e pajisjeve të gazetarit...”.

Në të njëjtën linjë doli dhe organizata "Safe Journalists", e cila në një postim të sajin në platformën "X", bëri thirrje që gjykata të kthejë pajisjet dhe njëkohësisht të këmbëngul që të përmbahet në të ardhmen nga nisja e çështjeve që rrezikojnë burime gazetarësh.

“...@WB Journalist” i kërkon Gjykatës së Posaçme të Apelit kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar të urdhërojë SPAK-un t'i kthejë të gjitha pajisjet Elton Qyno-s dhe këmbëngul që të përmbahet në të ardhmen nga nisja e çështjeve që rrezikojnë burime gazetarësh..." - thuhet në deklaratën e Organizatës "Safe Journalists".

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat