​Shqiptarët kryesojnë në Ballkan për kërkesat për azil në BE

Shqipëria

​Shqiptarët kryesojnë në Ballkan për kërkesat për azil në BE

Më: 19 janar 2024 Në ora: 15:15
Foto ilustrim

Shtetasit shqiptarë vijojnë të kryesojnë në raport me shtetasit e tjerë nga vendet e Ballkanit Perëndimor për numrin e lartë të kërkesave për azil në vendet e Bashkimit Evropian.

Sipas raportit më të fundit të Agjencisë Evropiane për Azilin, publikuar të premten, shqiptarët paraqitën vetëm gjatë muajit nëntor të vitit 2023 rreth 892 aplikime për azil në vendet e Bashkimit Evropian.

Shqiptarët pasohen nga shtetasit nga Maqedonia e Veriut, me 711 aplikime, shtetasit nga Serbia që kishin paraqitur 507 kërkesa, nga Kosova me 281 kërkesa, nga Bosnja me 127 dhe Mali i Zi 30.

Sipas raportit prirja e të gjithë shtetasve nga Ballkani është të kërkojnë azil në tre vende të BE: Francë, Gjermani dhe Itali. Shqiptarët kanë edhe numrin më të lartë të kërkesave për azil që mbeten në pritje në vendet e BE-së për t'u shqyrtuar.

Kështu sipas të dhënave të Agjencisë evropiane për Azilin, 3.278 shtetas shqiptarë janë në pritje të shqyrtimit të kërkesave për azil, ndërkohë që nga shtetasit nga Maqedonia e Veriut janë 2.146, Serbia 1.250, Kosova 966, Bosnjë e Hercegovina 540 dhe Mali i Zi 118 kërkesa.

Të gjitha kërkesat për azil nga vendet e Ballkanit Perëndimor të shqyrtuara në vendet e BE-së kanë një nivel tejet të ulët të pranimit.

Kështu, sipas raportit, shqiptarët kanë vetëm 0,55 % të kërkesave të shqyrtuara që janë pranuar ndërsa asnjë nga vendet ballkanike nuk e kalon 1% të kërkesave të pranuara për azil. Agjencia evropiane për Azilin tha se në nëntor vendet e BE-së morën 118 mijë kërkesa për azil.

Ndërsa për periudhën janar-nëntor 2023 aplikime për azil në vendet e Bashkimit Evropian shkuan në mbi 1 milionë, një nivel që kujton sipas Agjencisë evropiane për Azilin krizën e refugjatëve të viteve 2015-2016.

Në nëntor të vitit 2023 Gjermania ruajti pozicionin e saj si destinacioni kryesor për azilkërkuesit në vendet e BE-së, duke marrë gati një të tretën e gjithë kërkesave për azil që u paraqitën në vendet e BE-së.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat