Stuhia dhe dëbora ‘paralizoi’ veriun dhe juglindjen! Si paraqitet situata nga moti i keq në të gjithë vendin

Shqipëria

Stuhia dhe dëbora ‘paralizoi’ veriun dhe juglindjen! Si paraqitet situata nga moti i keq në të gjithë vendin

Më: 20 janar 2024 Në ora: 20:05
Foto nga vendi i ngjarjes

Prej mbrëmjes së djeshme i gjithë territori i vendit nga jugu në veri u përfshi nga moti i keq me reshje të dendura shiu dhe dëbore, shoqëruar edhe me erëra të forta, ndërsa problemet e para u raportuan mëngjesin e sotëm.

Intensiteti i lartë i reshjeve ka krijuar vështirësi në disa prej akseve rrugore. Në Rrugën e Arbrit po punojnë 5 borëpastruese për zhbllokimin e saj, ndërsa në pjesën e bypass-it të Murrizit rekomandohet përdorimi i zinxhirëve për shkak të vështirësive në qarkullim.

Ky bypass u bllokua për shkak të mjeteve të pa pajisura me goma dimri, ndërsa u desh ndërhyrja e policisë për zhbllokimin e tij. Reshje bore vijon të ketë edhe në rrugën e Kombit, por qarkullimi i mjeteve është i mundur edhe aty. Në segmentet Peshkopi-Maqellarë dhe Ulëz-Burrel vazhdojnë reshjet e dëborës. Mjetet borëpastruese po punojnë pa ndërprerje dhe segmentet janë të hapura. Në aksin malor Vau Dejes-Pukë-Kukës, Ura e Çerenecit-Bulqizë ka reshje të shumta dëbore, ku në Qafë Mali arrijnë deri në 50cm. Në terren po punohet me 4 borëpastruese, qarkullimi kryhet me vështirësi, sidomos në segmentin Fierzë-Qafë Shllak ku ka erë të fortë që e përhap borën nga bankina në rrugë, duke sjellë edhe prezencë të orteqeve, çka vështirëson punën e borëpastrueseve

Edhe në akset Qafë Plloçë-Maliq, Zëmblak-Dogana Goricë, Korçë-Ersekë, Korçë-Dogana Kapshticë kanë nisur reshjet e dëborës me intensitet, por po punohet me borëpastruese për pastrimin e tyre. Qarkullimi vijon normalisht..

Aksi rrugor “Librazhd-Qafë thanë” është përfshirë nga reshjet e dëborës, dhe aktualisht lëvizja e automjeve kryhet vetëm me zinxhirë. Ky aks u bllokua për pak orë, ndërsa pas zhbllokimit nuk lejohet lëvizja e mjeteve të tonazhit të rëndë.

Si pasojë e motit të keq raportohet për 37 fidera jashtë pune. Situata më e rënduar me defekte konstatohet në rajonin e Burrelit, Shkodrës dhe Kukësit. Defektet më së shumti janë evidentuar në zonat e thella rurale ku linjat janë ajrore.

Për situatën e krijuar nga moti reagoi edhe kryeministri Edi Rama, i cili përmes një statusi në rrjet tha se Mbi 1500 punonjës janë angazhuar në terren në të gjithë vendin nga ana e OSSH për të mundësuar ndërhyrjen në një kohë sa më të shpejtë për çdo problematikë.

“Ftojmë qytetarët të evitojnë lëvizjen e pa nevojshme, deri në normalizimin e situatës. Puna në terren po vijon në çdo zonë ku janë raportuar problematika”, thotë kryeministri në statusin e tij.

Ndryshe nga rrugët tokësore, ato në portin e Durrësit dhe të Vlorës  situata paraqitet normale. Tragetet kanë mbërritur në kohë dhe në terminalet portuale vijon pa ndërprerje përpunimi i mallrave. Aeroporti ndërkombëtar “Nënë Tereza” ka vijuar punën normalisht pa vonesa apo anulime. Edhe në aeroportin ndërkombëtar të Kukësit nuk janë evidentuar problematika.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat