Asnjë investim prej 20 vitesh, rruga Berat-Skrapar e degraduar

Shqipëria

Asnjë investim prej 20 vitesh, rruga Berat-Skrapar e degraduar

Më: 19 shkurt 2024 Në ora: 16:56
Foto ilustrim

Rruga që lidh Beratin me Poliçanin dhe Skraparin me një gjatësi prej 60 km është degraduar ndër vite, pasi rikonstruksioni i fundit daton dy dekada më parë.

Përgjatë rrugës dallohet mjaft qartë mungesa e sinjalistikës, e barrierave mbrojtëse, e ndriçimit apo edhe asfalti i shkatërruar.

Për shkak se në shtrirjen e saj, pjesa më e madhe i përket bashkisë së Skraparit, ky qytet preket edhe më shumë nga mungesa e një rruge me standarde, gjë që ndikon edhe në uljen e numrit të turistëve që duan ta vizitojnë.

Nga bashkia e këtij qyteti bëjnë me dije se edhe për këtë vit, bashkia nuk ka një fond të përcaktuar për mirëmbajtjen e rrugëve.

“Në mirëmbajtjen e rrugëve nacionale bashkia Skrapar nuk ka pasur të parashikuar fonde për mirëmbajtjen e tyre, këto varen nga ministritë ose ARSH që përmban të gjitha akset e rrugëve kryesore”, thotë Edmond Omeri, drejtor i Shërbimeve në Bashkinë Skrapar.

Degradimi i rrugës rëndon edhe mbi drejtuesit e automjeteve që e përshkojnë çdo ditë këtë aks. Për ta, përveç shpenzimeve nga amortizimi I makinës, rrezik konstant mbetet edhe rënia e gurëve nga malet.

“Shumë keq, shumë keq e prishur fare. Po në transportin e udhëtarëve, rruga është shumë e amortizuar. Kjo situatë ka që kur e bëri ushtria dhe nuk është vënë dorë me ka 10 15 vite. Jo, jo s’ka ndërhyrje fare, vetëm rënie gurësh ka çdo ditë”, shprehet  një drejtues mjeti.

Rruga Berat-Skrapar shfrytëzohet nga turistët e shumtë që duan të vizitojnë kanionet e Osumit, por degradimi po bën që edhe ata turistë që duan ta shohin, të mos e zgjedhin si destinacion për shkak të amortizimit të saj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat