Bie në pranga 26-vjeçari në Tiranë, shkon në 80 numri i të arrestuarve gjatë megaoperacionit “Tempulli 2”

Shqipëria

Bie në pranga 26-vjeçari në Tiranë, shkon në 80 numri i të arrestuarve gjatë megaoperacionit “Tempulli 2”

Më: 21 shkurt 2024 Në ora: 12:52
Foto ilustrim

Tiranë/Vijon megaoperacioni policor i koduar “Tempulli 2”.

Vihen në pranga 1 shtetas i shpallur në kërkim në kuadër të këtij megaoperacioni, shkon në 80 numri i shtetasve të ndaluar.

Më parë, gjatë zhvillimit të këtij operacioni, janë sekuestruar 14 kg kanabis, 5.3 kg kokainë, 170 gramë heroinë, 11 peshore elektronike, 4 armë zjarri pistoleta, 1 armë zjarri automatik, 70 celularë, 11 automjete, 2 186 000 lekë, 11 610 euro dhe 630 paund.

Shërbimet e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, bazuar në informacionet e siguruara mbi vendndodhjen e një shtetasi të shpallur në kërkim në kuadër të megaoperacionit “Tempulli 2”, menjëherë kanë vijuar kontrollet intensive për kapjen dhe vënien e tij, përpara përgjegjësisë ligjore.

Si rezultat, në afërsi të Brrylit, u kap dhe u ndalua shtetasi R. I., 26 vjeç, banues në Tiranë.

Ky shtetas ishte shpallur në kërkim pasi Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

Vijon puna për lokalizimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë të shpallur në kërkim në kuadër të këtij megaoperacioni.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat