I ka shpëtuar disa atentateve, arrestohet anëtari i bandës së Gaxhait

Shqipëria

I ka shpëtuar disa atentateve, arrestohet anëtari i bandës së Gaxhait

Më: 22 shkurt 2024 Në ora: 11:03
Foto ilustrim

Ish-anëtari i bandës së Gaxhait, i njohur dhe me nofkën Çipuri, Sulejmani u kap në periferi të qytetit të Durrësit.

Armando Sulejmani u arrestua në Durrës, teksa po udhëtonte me një automjet të vjedhur.

I konsideruar nga policia si person me rrezikshmëri të lartë, dyshohet se po përgatitej të  përfshihej në ngjarje kriminale.

“Vijon zbatimi i masave të hartuara në kuadër të planit operacional “Sundimi i ligjit”, për parandalimin dhe goditjen e veprimtarive kriminale.

Finalizohet operacioni policor i koduar “Zëvendësimi”. Sekuestrohet një automjet me targa të vjedhura, që dyshohet se do të përdorej për të kryer ngjarje kriminale.

Nuk iu bind urdhrit të punonjësve të Policisë, për të ndaluar automjetin me targa të vjedhura, si rezultat i veprimeve të shpejta operacionale, kapet dhe vihet në pranga 48-vjeçari, i dënuar më parë për vrasje.

Shpallet në kërkim një 26-vjeçar, pronar i automjetit që drejtonte 48-vjeçari, i dyshuar si bashkëpunëtor për vjedhjen e targave.

Në vijim të veprimeve hetimore dhe operacionale të kryera në zbatim të masave të hartuara në kuadër të planit operacional “Sundimi i ligjit”, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Durrës, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja” të DVP Durrës, bazuar në informacionet e siguruara nga inteligjenca informative, për një shtetas që qarkullonte me një automjet me targa të vjedhura, që mund të përdorej për kryerjen e ngjarjeve kriminale, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Zëvendësimi”, për kapjen e këtij shtetasi dhe sekuestrimin e automjetit.

Gjatë operacionit, në Spitallë, shërbimet e Policisë i kanë bërë shenjë ndalimi automjetit tip “Mercedes Benz”, me drejtues shtetasin A. S., i cili nuk i është bindur urdhrit për të ndaluar dhe ka tentuar të largohet me shpejtësi. Si rezultat i veprimeve të shpejta policore u kap shtetasi A. S. dhe u shoqërua në Komisariat, për veprime të mëtejshme.

Nga veprimet hetimore rezultoi se targat e automjetit tip “Mercedes Benz”, që drejtonte ky shtetas, ishin të vjedhura dhe i përkisnin një automjeti tip “Land Rover”, i vjedhur më datë 03.11.2023, në Tiranë. Gjatë kontrollit në bagazhin e automjetit tip “Mercedes Benz”, janë gjetur targat origjinale të këtij automjeti.

Në përfundim të veprimeve të para procedurale për këtë rast, u arrestua në flagrancë shtetasi A. S., 48 vjeç, banues në Vlorë, i dënuar më parë për vrasje.

Gjithashtu, u shpall në kërkim shtetasi L. Z., 26 vjeç, banues në Tiranë, pronar i automjetit që drejtonte 48-vjeçari, i dyshuar si bashkëpunëtor në vjedhjen e automjetit tip “Land Rover”.

Automjeti tip “Mercedes Benz”, targat e tij dhe targat e vjedhura u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, bashkë me një kaçavidë dhe 3 celularë.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme”, sipas policisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat