Veliaj jep lajmin e mirë për Njësinë 7: Do vijojmë me zgjerimin e Unazës dhe ndërtimin e shkollave të reja në Astir

Shqipëria

Veliaj jep lajmin e mirë për Njësinë 7: Do vijojmë me zgjerimin e Unazës dhe ndërtimin e shkollave të reja në Astir

Më: 23 shkurt 2024 Në ora: 20:48
Foto nga vendi i ngjarjes

Me përfundimin e punës për Unazën e Madhe në zonën e Astirit, projekti do të vijojë në pjesën jugore të qytetit, me zgjerimin e lumit të Lanës, nga Pallati me Shigjeta deri në Kashar.

Nga Njësia 7 në kryeqytet, ku mori pjesë në anëtarësimet e reja në PS, kryebashkiaku Erion Veliaj, njëherësh Drejtues Politik i PS për Qarkun e Tiranës, tha se nga ky investim përfitojnë të gjithë qytetarët.

Këtë javë patëm një takim për kredinë që kemi marrë nga Banka Europiane e Investimeve për drejtimin e Lanës dhe ndërtimin e rrugës me tre korsi, plus një korsi parkingu, njësoj siç e kemi premtuar, por edhe siç është bërë në një pjesë tjetër të Tiranës, ku ai investim ka sjellë bereqet nga Materniteti i Ri deri në Shkozë. Po të shikosh si ka filluar të çelet jo vetëm pemët, por e gjithë lagjja, sepse nuk është rritur vetëm vlera e pronës, por edhe vlera e tokës apo pallatet e reja që po vijnë. Fakti që Lana është drejtuar, është rehabilituar, është gjelbëruar, fakti që janë pastruar gjithë çibanët dhe gjithë ajo lagje po merr hov, është diçka që prek edhe Njësinë 7”, tha Veliaj.

Ai u shpreh se opozita bllokoi për tre vite punimet e Unazës së Madhe për qëllime politike.

“Astiri është në prag të përfundimit, po mbaron mbikalimi i fundit te ish Fabrika e Miellit. Shumë njerez, nuk ka rëndësi në janë të majtë apo të djathtë, i bëjnë pyetje vetes: ‘Ore për çfarë humbëm gjithë atë kohë? Për çfarë u kacafytëm për tre vjet, duke djegur goma e duke bërë skena të pahijshme, ndërkohë mund ta kishim mbaruar para tre vitesh atë projekt?!’ Thirrja ime për këdo është: Politika është politikë. Le të protestojmë, qshtë mëse normale. Demokracia prandaj është e bukur. Është mëse normale që, pavarësisht ambicieve të mëdha, kur shikon se ambicia reduktohet sa kokoshi një thelë, është puna e tyre nëse duan të humbasin kohën ashtu, ose nëse duan t’i ofrojnë atë lloj spektakli qytetit, me dhunë e me gurë e me prishje – ne nuk i detyrojmë të gjithë të bien dakord, por të paktën për disa çështje duhet të biem dakord”, tha ai.

Kryebashkiaku apeloi për bashkëpunim për të çuar më tej këtë projekt, nga i cili përfiton i gjithë qyteti i Tiranës. “Është shumë e rëndësishme që edhe me kolegët e mendimeve të ndryshme të ketë një dakordësi kur vjen puna për këto investime kaq të rëndësishme. Unë besoj se zgjatimi i Lanës, drejtimi i lumit, lidhja me autostradën edhe zonën e Astirit, e bën rrugën jo një ndarje mes dy lagjeve, përkundrazi, një komunikim mes dy lagjeve. Shpresoj shumë fort që me fillimin e këtij investimi do të kemi mirëkuptim nga të gjithë banorët”, deklaroi ai.

Secila nga familjet që preket nga Unaza e Madhe në këtë zonë, do të trajtohet me banesë falas në pallatet e reja që do të ndërtohen nga Bashkia e Tiranës për këtë qëllim.

“Ne kemi përzgjedhur një tokë, zona ku është KLGJ dhe KLP, pra Poli i Drejtësisë, e cila është pronë e bashkisë. Do ta caktojmë për pallatet e reja që do të bëhen për banorët që preken nga zgjatimi i Lanës. Asnjë nga banorët nuk do të jetë në rrugë. Më përpara ju e dinit si funksiononte dhe duhet ta pranojmë se disa rrugë kanë filluar që në kohën e atyre që sot janë në opozitë. Të vinte ruspa te ish Qyteti i Nxënësve dhe nuk pyeste njeri se çfarë ishe, ku ishe, a kishe letra, sepse ruspa të merrte përpara. Kjo është hera e parë që themi jo. Edhe ai që ka ndërtuar pa leje – se në Breg të Lumit nuk ndërtohet, as te 5 Maji, as te Lana – do të trajtohet, do të marrë një apartament, në bazë të metrave katrorë dhe kurorave. Është një mënyrë shumë moderne për të përmirësuar jetën e qytetit, është edhe një mënyrë shumë njerëzore për të akomoduar ata banorë që janë pjesë e atij komuniteti”, deklaroi Veliaj.

Kreu i Bashkisë së Tiranës dha lajmin e mirë të ndërtimit edhe të shkollave të reja në këtë zonë, duke i dhënë zgjidhje kërkesave të këtij komuniteti.

Do të fillojmë edhe me ndërtimin e shkollave të reja. Kemi dy hapësira te xhepi që është krijuar aty ku sistemohet Lana. Shkollat e reja në të dy anët e Lanës zgjidhin përfundimisht kerkesën me rritjen e popullsisë, që do të vijë padyshim me zgjatimin e Lanës dhe me riparimin e saj. Ky lot i shkollave, dy në njërën anë dhe dy në anën tjetër, ul pak edhe ngarkesën që ka shkolla “Dhora Leka” dhe shkollat e tjera të njësisë”, theksoi Veliaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat