​Samiti i Ballkanit Perëndimor me BE-në, Varhelyi: Patëm marrëveshje për katër fusha

Shqipëria

​Samiti i Ballkanit Perëndimor me BE-në, Varhelyi: Patëm marrëveshje për katër fusha

Më: 29 shkurt 2024 Në ora: 14:51
Foto nga vendi i ngjarjes

Në kuadër të samitit të Ballkanit Perëndimor me BE-në për Planin e ri të Rritjes sot në Tiranë, komisionari për Zgjerim i Bashkimit Evropian, Oliver Varhelyi, ka bërë të ditur se është nënshkruar marrëveshja për katër fusha.

Varhelyi theksoi se vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor do të marrin 6 miliardë euro ndihmë, por për t’i tërhequr këto fonde shtesë në formën e granteve dhe huave ka disa kushte që duhen plotësuar nga vendet e rajonit.

Ai ka bërë të ditur detajet e marrëveshjes, e që kanë të bëjnë me rishikimin e kostove të transaksioneve, heqja e kohës së pritjes në pikat kufitare, puna kërkimore shkencore dhe rrjeti falas i internetit në hapësirat publike në të gjithë Ballkanin Perëndimor.

“Mendoj se sot, ne patëm marrëveshje për katër fusha. E para, rishikimi i kostove të transaksioneve. Bankat duhet të aplikojnë të njëjtat rregulla, si në vendet e origjinës. Mendoj se ka pasur dakordësi që kjo gjë do të arrihet sivjet. E dyta, korsitë e gjelbra. Të heqim kohët e pritjes në pikat kufitare. Të rregullojmë procedurat, në mënyrë që të përshpejtohen pritjet në kufi. Duhet të përfundojë deri në fund të këtij viti. Do të ulë kostot për bizneset. E treta, puna kërkimore shkencore. Të sjellim brezin tjetër të industrive në rajon. Të kemi një qendër, ku këto industri të mund të mbështeten, po flasim për sektorin farmaceutik, digjital etj. Së fundi, rrjeti falas i internetit në hapësirat publike në të gjithë Ballkanin Perëndimor. I kemi fondet për këtë gjë. Duhet t’i pajisim bashkitë me të gjitha mjetet e duhura”, ka thënë Varhelyi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat