Pastori Lela: Princat tanë ia shtrojnë nga mëngjesi në darkë mbi varfërinë e këtij populli

Shqipëria

Pastori Lela: Princat tanë ia shtrojnë nga mëngjesi në darkë mbi varfërinë e këtij populli

Më: 4 mars 2024 Në ora: 19:47
Arsen Lela

Në protestën kundër arrestimit ali Berisha nga drejtësia politike ishte pastroi, Arsen Lela. Lela është shprehur se sot vendi ynë është në një multikrizë totale - krizë morale, krizë ekonomike, krizë sociale, krizë politike, krizë identiteti - shqiptarët nuk dinë më kush janë, ku shkojnë dhe nëse do kthehen ndonjëherë

Lela: Si pastor nuk e kisha të lehtë të vija sot para jush, sepse më duhet të ruaj neutralitetin. Por unë jam këtu: Së pari: Sepse besoj që një nga mëkatet më të mëdha është ruajtja e neutralitetit në kohë krize morale. Sot vendi ynë është në një multikrizë totale - krizë morale, krizë ekonomike, krizë sociale, krizë politike, krizë identiteti - shqiptarët nuk dinë më kush janë, ku shkojnë dhe nëse do kthehen ndonjëherë. Së dyti: Jam këtu për t’ju thënë që jam i njëanshëm. Unë jam në anën e Shqipërisë dhe shqiptarëve dhe kundër propagandës antishqiptare që thotë, ikni ju pa ne sjellim bangladeshasit.

Kjo ndodh sepse mungojnë barinjtë. Dhe në vend të tyre ka ujqër, çakej e tigra, të cilët nuk çajnë kokë më as të veshin lëkurë delje, por dalin hapur me gjithë urinë e tyre ugolineske, duke kafshuar deri në varfëri, deri në mjerim taksapaguesit e këtij vendi. Propaganda dhe megafonët e saj buçasin se kanë rritur mirëqenien dhe ekonominë. Por e vetmja gjë që kanë rritur është ekonomia e dëshpërimit. Jam i sigurt që për pushtetarët ka rritje ekonomike. Sepse ata flasin nga xhepat e tyre obezë dhe nga një Shqipëri që ekziston vetëm në imagjinatën e tyre. Ata flasin më mirëqenien imagjinare të nënshtetasve të tyre; për inceneratorë imagjinarë dhe rrugë që kanë mbetur në mes të katër rrugëve.

Mjafton të ndërmendim vetëm rrugën e Arbërit që inagurohet herë pas here, e që është bërë si pëlhura e Penelopës. Thuret ditën dhe çthuret natën, derisa t’ia mbërrijë Odiseu, dita e votimeve, ku ministra e ministresha do të dynden duke u shtyrë me lopata në duar për inagurimin e radhës. Më kujtohet një batutë e kryebashkiakut të Tiranës, i cili e krahasoi pushtetin me sifonin e tualetit. Nëse ke për ta bërë, bëje ose ngrihu ta bëjë tjetri. Së treti, dua t’ju drejtohem ju dhe të gjithë shqiptarëve të mos heshtni për asnjë çast para padrejtësisë. Një popull që fle, vdes.

Në Bibël thuhet - Mjerë ti, o popull, princat e të cilit ia shtrojnë që në mëngjes! Princat tanë ia shtrojnë nga mëngjesi në darkë mbi varfërinë e këtij populli. Unë dua t’u drejtohem edhe patronazhistëve - zhvishuni nga ky titull i mynxyrshëm që është mbarsur në barkun e totalitarizmit. Refuzoni të jini zhuli i thonjve të tigrit dhe bëhuni dora që ndërton këtë vend.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat