Rama mbledh kryebashkiakët në Shkodër, takim dy ditor në fundjavë

Shqipëria

Rama mbledh kryebashkiakët në Shkodër, takim dy ditor në fundjavë

Më: 6 mars 2024 Në ora: 13:26
Edi Rama

Shkodra do të jetë pikëtakimi i kryeministrit shqiptar, Edi Rama, me të gjithë kryebashkiakët socialistë, për dy ditë me radhë në fundjavë. Të gjithë kryetarët e bashkive do të raportojnë para kreut të qeverisë për punën organizative në Partinë Socialiste, por dhe një pasqyrim të të gjitha problematikave gjatë drejtimit të punës.

Në këtë takim që do të nisë ditën e shtunë dhe do të zgjasë deri të dielën në drekë, do të marrë pjesë edhe kabineti qeveritar, zëvendësministra, drejtues institucionesh, por edhe të deleguarit e qarqeve, me të cilët  Rama pritet të diskutojë përmbushjen e detyrave të caktuara nga analiza e shkuar, në Shëngjin.

Diskutimi do të jetë me dyer të mbyllura dhe i ndarë në disa panele, ku fokusi kryesor do të jetë angazhimi në terren i strukturave të socialistëve për rigjallërimin e bazës së partisë deri në garën e ardhshme elektorale në 2025-ën. Kryeministri pritet të bëjë edhe një vlerësim të punës së çdo bashkie.

Prej disa javësh PS ka hyrë në një proces riformatimi dhe zgjedhjesh, ku deri në 15 mars është parashikuar faza ku fokusi do të jetë te anëtarësimet e reja. Një ditë më pas, në 16 mars, kryeministri do të thërrasë Asamblenë e Socialistëve në qytetin e Durrës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat