Beleri në Gjykatën Kushtetuese, shtyhet sërish seanca

Shqipëria

Beleri në Gjykatën Kushtetuese, shtyhet sërish seanca

Më: 19 mars 2024 Në ora: 18:49
Fredi Beleri

Gjykata Kushtetuese nuk është shprehur ende me një vendim, nëse arrestimi i Fredi Belerit ishte i ligjshëm apo jo.

Këtë të martë në Dhomë Këshillimi, pa prezencën e palëve, pritej të kishte vendim për kryebashkiakun e zgjedhur të Himarës, Fredi Beleri, i cili iu drejtua Kushtetueses me argumentin e paligjshmërisë së masës së sigurisë arrest në burg caktuar ndaj tij, pasi nuk ekzistojnë kushtet për një masë të tillë.

Ankimi u bë 6 muaj më parë teksa radha përcaktoi 19 marsin si datë për të vendosur mbi pretendimet e tij.

Mësohet se për shkak të çështjeve të tjera në radhë, sot nuk u arrit të shkohej tek emri i Fredi Belerit që të merrej një vendim mbi bazë dokumentash ndaj kërkesës së tij, duke e shtyrë për një datë ende të papërcaktuar që do të publikohet në webin e Gjykatës.

Fredi Beleri u dënua më 5 mars të këtij viti, nga Gjykata e Posaçme mes kontestimeve të shumta me 2 vite burg për korrupsion zgjedhor.

Ndërkohë, pavarësisht rrezikimit të afateve për apelim, avokatët ende nuk i janë drejtuar Apelit të Posaçëm.

Kjo sepse ata po presin vendimin e zbardhur të treshes gjyqësore e përbërë nga Erion Çela relator, dhe anëtare Irena Gjoka e Flora Hajredinaj që e dënuan.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat