Sot dita Ndërkombëtare e Pyjeve, mbillen 21 hektarë tokë në Voskopojë! Rama: 40 mijë fidanë për të rehabilituar zonën e dëmtuar nga zjarret

Shqipëria

Sot dita Ndërkombëtare e Pyjeve, mbillen 21 hektarë tokë në Voskopojë! Rama: 40 mijë fidanë për të rehabilituar zonën e dëmtuar nga zjarret

Më: 21 mars 2024 Në ora: 08:40
Foto ilustrim

Kryeministri Rama ka ndarë në rrjetet sociale një video ku shihet një nga aksionet e Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit, në ditën Ndërkombëtare të Pyjeve. Video është realizuar në Voskopojë, në një zonë të dëmtuar nga zjarret vite më parë.

Pjesëmarrës në mbjelljen e 40 mijë fidanëve të rinj në 21 hektar tokë ka qenë edhe ministrja Kumbaro dhe kryetari i Bashkisë së Korçës Sotiraq Filo.

Në mbishkrimin e kësaj video, kryeministri Rama shkruan: Mirëmëngjesi dhe në ditën Ndërkombëtare të Pyjeve, me momente të mbjelljeve të mbi 40 mijë fidanëve të rinj në Voskopojë për të rehabilituar një zonë të dëmtuar nga zjarret vite më parë, si një ndër shumë aksionet e ndërmarra në vitin 2024 që e kemi pagëzuar Vitin e Pyjeve, ju uroj një ditë të mbarë.

Ndërsa në video, ministrja Mirela Kumbare tha se nismave të Vitit të Pyjeve tashmë u janë bashkuar rreth 50 bashki, me një mobilizim në të gjithë vendin për rritjen e sipërfaqeve pyjore dhe miradministrimin e tyre. Gjatë aktivitetit në zonën e Voskopojës, ku po mbillen mbi 40 mijë fidanë, ministrja Kumbaro vuri theksin edhe tek bashkia Korça si një ndër bashkitë me performancën më të mirë bazuar në analizën e Agjencisë Kombëtare të Pyjeve, por ka ende për të bërë për sa i përket planit të menaxhimit, si një prej bashkive me sipërfaqe të konsiderueshme të pyjeve.

“Më vjen shumë mirë që ndërhyjmë te kjo pjesë. Bëhet fjalë për një territor i cili është djegur masivisht në 2008-ën. Kështu që kemi ardhur t’i kërkojmë ndjesë natyrës për fatkeqësinë, por nga ana tjetër edhe për t’i dhënë një dorë rigjenerimit natyror”, u shpreh ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro.

“Korça ka 14 ekonomi pyjore. Potenciali është i madh. Korça është një bashki që ndër prioritetet e saj ka dhe turizmin. Një komponent shumë i rëndësishëm i tij, është turizmi i natyrës me të gjithë elementet e tij dhe pyjet e kullotat janë një element shumë i rëndësishëm që duhet të vihen në shfrytëzim”, u shpreh kryebashkiaku i Korçës Sotiraq Filo.

Kumbaro e vlerësoi shumë të rëndësishëm në Vitin e Pyjeve, partneritetin me Universitetin Bujqësor të Tiranës. “Kur flasim për planet e mbarështimit, na duhet të rishikojmë bashkë edhe metodologjinë, edhe pse me ministrin e Pushtetit Vendor po mendojmë që të ndërhyjmë me një plan kombëtar për t’i ndihmuar bashkitë në përgatitjen e planeve të mbarështimit. Me një plan mbarështimi më të mirë, bëhet edhe gjithë menaxhimi”, përfundoi ministrja e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro.

Gjatë këtij takimi u nënshkrua edhe një marrëveshje mes Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura dhe Fakultetit të Shkencave të Pyjeve të Univeristetit Bujqësor të Tiranës me fokus restaturimin e zonave të mbrojtura dhe monitorimin e faunës së egër.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat