Investimi i Kushner-it në Sazan, Andi Bushati: Rama po kërkon favore në Shtëpinë e Bardhë, opozita po hesht

Shqipëria

Investimi i Kushner-it në Sazan, Andi Bushati: Rama po kërkon favore në Shtëpinë e Bardhë, opozita po hesht

Më: 21 mars 2024 Në ora: 09:30
Andi Bushati

Duke komentuar investimin e Kushner-it në ishullin e Sazanit, analisti Andi Bushati tha  se kryeministri Rama po kërkon favore në Shtëpinë e Bardhë, duke ditur fitoren e pritshme të Trump. Sipas Bushatit kemi të bëjmë me një “lobim të pastër politik”, ku po përdoret e njëjta skemë si me investimin e Alabarit në Portin e Durrësit.

Analisti e konsideron si të turpshëm heshtjen e opozitës shqiptare në lidhje me projektin e dhëndrit të Trump-it në ishullin e Sazanit.

"Unë e pashë si një aksident, sepse po të ishte një rrugë normale do ta shpallte qeveria shqiptare ‘shih ç’mrekulli po na ndodh!’. NYT duket që kishte kohë që po investigonte për një gjë që e konsideron si aferë korruptive. I ka çuar pyetjet edhe Kushnerit, i cili s’është përgjigjur. Kemi të bëjmë me gazetari investigative që fillon të gërmojë për diçka që mund të jetë korruptive. Për mua ka lobim politik, sepse po të shikosh është e njëjta skemë që është përdorur edhe për Portin e Durrësit. Alabari, një biznesmen kontrovers, shkon në Beograd bën pakt me Vuçiçin dhe ndërton mbi lumin Sava, dhe nga Beogradi vjen në Tiranë dhe shkon në Durrës për portin. E njëjta skemë është me Kushnerin. Shkon në Beograd për të marrë një kazermë andej, realizohet plani i Beogradit dhe Vuçiçi ia përcjell Ramës. Kemi një lobim të pastër politik, që është kundër asaj që kam dëgjuar këto ditë, që ‘sa lart Shqipëria’, ‘po vijnë biznese amerikane të këtij kalibri’. Kur vijnë biznese amerikane nuk vijnë të negociojnë me Ramën, por për të konkurruar në treg. Investimet që vijnë me lobime politike nuk janë investime që vijnë si pasojë e tregut. Vijnë për të fituar para ata që investojnë, dhe për të marrë benefite politike politikanët që japin firmën.

Unë di një gjë, është nga ato investime që shqiptarët humbasin. Në qoftë se ti për të marrë dhëndrin e Trumpit dhe Grenellin në Shqipëri, kur do ta shndërrosh në allishverish personal, fall lokma Shqipërie për të konsoliduar pushtetin tënd personal. Më mirë të bëhej një gjë që të ishte në favor të shqiptarëve, dhe të kishte edhe dikush aksione brenda, se sa të bëhet një gjë për lobimin politik të Ramës. Rama po kërkon favore në Shtëpinë e Bardhë. Sot të gjitha sondazhet parashikojnë që Trump mund të jenë fitues. Një kryeministër që ka probleme në shtëpinë e vet, që është i akuzuar nga vjedhje zgjedhjesh dhe vjedhje pasurie kombëtare, të vetmen valvul sigurie ka lobimin me të mëdhenjtë e botës. I japim Melonit kampet e emigrantëve, i japim Kushnerit tokat. Është e turpshme heshtja e opozitës. Heshtja e PD-së së Rithemelimit është e turpshme. Shikoni vetëm një gjë, si po reagon opozita në Beograd ndaj mungesës së transparencës së Vuçiçit. Ngrenë zërin. Opozita këtu i ka krijuar vetes një fabul, ne do na çelë fati kur të vijë Trump-i, dhe bën gabimin e madh që të mos sulmojmë një investim të mundshëm të dhëndrit të Trump, se do prishemi siç u prishëm me Biden-in dhe Blinkenin”., tha Bushati.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat