Çudira shqiptare, Kampionati kombëtar i skive zhvillohet me 2 meshkuj e 1 femër!

Skijim

Çudira shqiptare, Kampionati kombëtar i skive zhvillohet me 2 meshkuj e 1 femër!

Më: 30 dhjetor 2023 Në ora: 12:55
Kolturi

Federata Shqiptare e Skive disa ditë më parë ka zhvilluar kampionatin kombëtar për të rritur, një aktivitet që në mungesë të një piste në vendin tonë është bërë e modës të transferohet në alpet italiane, më konkretisht në Kronplatz.

Një kompeticion në të cilin kanë garuar skiatorë nga e gjithë bota, ndërsa Federata Shqiptare e Skive ka marrë hapësirën, duke kronometruar rezultatet e sportistëve tanë për arenën kombëtare, madje rezultatet janë llogaritur edhe për një event të emërtuar Kupa Ballkanike.

Kështu, më datat 18 dhe 19 dhjetor është garuar në disiplinën e sllallomit dhe sllallomit gjigant, por çudirat shqiptare nuk të mungonin në këtë aktivitet.

Në ditën e parë të kampionatit kombëtar të skive në sllallomin për meshkuj garuan vetëm 2 sportistë shqiptarë, Deni Xhepa dhe Kevin Qerimi, ndërsa asnjëri prej tyre nuk arriti që ta përfundonte garën.

Kështu, Xhepa realizoi vetëm zbritjen e parë, ndërsa nuk arriti të përfundonte të dytën. Ndërkohë, Qerimi nuk ja doli të kalonte as zbritjen e parë.

Duke kaluar te sllallomi i femrave, në kampionatin kombëtar konkurronte “plot” një sportiste shqiptare, madje edhe ajo është e natyralizuar me nënshtetësinë shqiptare, Chiara Di Camillo. 19-vjeçarja nuk e përfundoi dot garën, teksa mundi që të realizonte vetëm zbritjen e parë, duke dështuar në të dytën.

Në ditën e dytë të aktivitetit ishte radha për garat e sllallomit gjigant, teksa edhe në këtë disiplinë garuan vetëm dy sportistë shqiptarë për meshkuj, Deni Xhepa dhe Kevin Qerimi. I renditur në vend të 22-të në klasifikimin e përgjithshëm, Xhepa u shpall kampion kombëtar, duke fituar përballjen me Qerimin, i cili në garën e përgjithshme u klasifikua i 38-ti.

Xhepa regjistroi kohën totale 2:26.06 (1:13.84 + 1:12.22), duke u shpallur kampion i Shqipërisë në ski për vitin 2023 në sllallomin gjigant. Duke qenë se kjo garë vlente edhe si Kupë Ballkanike, Xhepa u rendit i dyti në klasifikimin rajonal, pas sllovenit Klemen Kosi.

Për sa i përket femrave, kampionati kombëtar i sllallomit gjigant nuk u zhvillua, pasi nuk kishte asnjë konkurrente nga Shqipëria. Ky aktivitet u snobua gjithashtu edhe nga Lara Kolturi, skiatorja e talentuar, e cila me shumë bujë ka zgjedhur të përfaqësojë Shqipërinë.

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat