Ironia e Lumturisë dhe Fatlumit, BOOM strehon në qendër sociale nënën dhe djalin që flinin në rrugë

Sociale

Ironia e Lumturisë dhe Fatlumit, BOOM strehon në qendër sociale nënën dhe djalin që flinin në rrugë

Më: 7 maj 2020 Në ora: 19:46
Pamje nga vendi i ngjarjes

Emisioni "BOOM" në RTV Ora i ka ardhur në ndihmë një nëne dhe djalit të saj, duke i strehuar në një qendër sociale në Durrës.

Lumturi dhe Fatlum janë ironikisht emrat e nënës së re dhe djalit të saj 2 vjeçar që ndodheshin prej 8 ditësh sipas saj në gjendje rruge.

Banorët kanë qenë ata që kanë sinjalizuar se nëna me fëmijën rrinte tek rrethrrotullimi në Plepa në Durrës. Ata qëndronin në një stacion autobusësh ditë natë.

Nëna 28-vjeçare ka probleme edhe me të shprehurin, flet por ka vështirësi. Ajo është e divorcuar dhe e dhunuar nga ish-bashkëjetuesi.

Ata rrinë në stacion në një distancë të afërt nga rruga kryesore, ku kalojnë dhe mjetet e tonazhit të rëndë.

Banorët dyshime se nëna me djalin shfrytëzohen

Banorët thonë e kemi ndihmuar, shprehen se kanë lajmëruar edhe institucionet por asnjë nuk ka ardhur. Disa nga banorët hedhin dyshime se ajo mund të përdoret nga familja e saj për qëllime përfitimi.

"Ka 15 ditë kjo zonja që rri këtu. I kemi thënë edhe policisë, por asgjë. Është në ditë të hallit. I japin ndonjë gjë për të ngrënë kalimtarët"

"E kemi ndihmuar me lekë sa kemi pasur mundësi"

"Nuk e ka vrarë njeri mendjen. Ka fjetur në shi këtu. Po pe përdorin për lypje"

Flasin familjarët e Lumturisë

Bashkë me njërin nga banorët që ka ndihmuar nënën me fëmijën gazetarja e BOOM, Arjana Loce arritën të kontaktojnë me motrën dhe vëllezërit e gruas.

"Ajo është ndarë nga burri, nuk e pranon në shtëpi vëllai. Ka qenë e martuar në Maqedoni, i foli zoti çun e goc, goca i vdiq dhe ka çunin", tha motra.

BOOM gjen zgjidhje

BOOM kërkoi ndihmën e shërbimit social shtetëror duke i vënë në dijeni për situatën. Ky institucion ka strehuar nënën dhe fëmijën e saj 2 vjeç.

Meme Xhaferraj, Drejtoresha e Shërbimit Social bashkia Durrës: Ju falënderojmë juve që sillni raste që kanë nevojë për ndërhyrje dhe masa emergjente. Brenda orës 5 ajo është sistemuar së bashku me fëmijën në një qendër. Në kemi vepruar për të larguar fëmijën nga rruga, por edhe zonjën. Situata e saj ka nevojë të analizohet në tërësi. Rasti është menaxhuar në muajin tetor, nëntor, në dhjetor dhe është sistemuar nëpër qendra. Në të vërtetë ka rrjedhur rasti që largohet zonja nga qendrat, ka dhe një sërë problematikash të tjera. Ne kemi ndjekur gjitha procedurat. Çështja është dërguar në gjykatë dhe prokurori. Kemi vendosur kujdestari alternativë për fëmijën dhe të gjitha hapat do të ndiqen në vazhdimësi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat