Ne duam ta jetojmë jetën të lira, pa dhunë…

Sociale

Ne duam ta jetojmë jetën të lira, pa dhunë…

Nga: Lekë Imeraj Më: 28 shtator 2020 Në ora: 10:05
Lekë Imeraj

Në mars të vitit 2003, një shqiptar nga Kosova, vrau vajzën e vet 16 vjeçare, në qytetin Tuebingen në Gjermani. Nuk e vrau as padashje dhe as aksidentalisht. E vrau në mënyrë të vetëdijshme dhe me qëllim. Motivi: -Shkelje e nderit të familjes. Vajza e kishte “shkelur” nderin e familjes sepse dëshironte të jetonte ashtu siç jetojnë të gjitha femrat e botës perëndimore, të lira dhe vetëvendosëse. Ajo lyhej, vishej bukur dhe kishte një shok të një besimi tjetër. Këto ishin “krimet” e saj për të cilat ajo u dënua me vdekje. Babai i saj, i cili megjithëse jetonte prej vitesh në Gjernani, karakterizohej nga një kulturë e cila e kishte rrënjëzuar vizionin e saj, që në femijërinë e tij të hershme. Ndaj ky njeri, edhe pse jetonte në një vend me civilizim të lartë, nuk guxonte të thyente tabutë e rrënjëzuara thellë në nënvetëdijen e tij. Ai nuk mund të pajtohej kurrsesi me sjelljet e vajzës së vet. Dhe kështu, në familje dhuna u bë e përhershme. Babai mundohej me të gjitha mënyrat e dhunshme që ta kthente vajzën e vet në një “zog” kafazi dhe ashtu të mbyllur në kafaz ta internonte diku në shpellat e Kosovës, duke ia mbushur shtratin një të panjohuri dhe mundësisht, po aq fanatik dhe tiran sa edhe ai vet. Por, vajza nuk dorëzohej. Dhuna eskaloi në familje dhe erdhi momenti i vrasjes së vajzës. Ajo u vra nga dora e babait të vet, në emër të nderit.

LEXO EDHE: Me vdekje, në emër të nderit

E ema, H. G, pas humbjes së vajzës, u largua nga shtëpia dhe u lidh me organizatën për të drejtat e gruas: -Terre des Femmes (Bota e gruas). Organizata, bashkë me atë, organizuan një tubim në emër të vajzës. Ajo vendosi që, nga grua kosovare e mbyllur, të kthehet në aktiviste për liritë dhe të drejtat e grave dhe vajzave të cilat vuajn ashtu siç vuajti dhe vdiq vajza e saj. Në praninë e qindra pjesëmarrësve, gra dhe burra, me datën 22. 11. 2003, ajo tha:

Ne duam ta jetojmë jetën të lira, pa dhunë!

Përse nuk guxojmë ta shijojmë jetën në liri? Përse duhet që, që në rininë tonë të thahemi si lulet në vazo pa ujë? Mos vallë duhet të ndihemi fajtore që jemi femra, dhe se natyra na ka krijuar kaq të bukura, si lulet e jetës, dhe ju doni të na vyshkni dhe shkelni? Edhe ne duam ta shijojmë jetën në liri. Përse na ktheni në sende shtëpiake? Përse na mbyllni brenda katër mureve? Deri kur me kafazin e virgjëreshave? Përse na e nxini jetën? Përse na digjni për së gjalli? Përse na e shëmtoni bukurinë dhe simpatinë, përse na helmoni gëzimin e jetës? I bëj thirrje gjithë botës dhe njerëzimit përparimtar, që ta ndalojë dhunën e burrave mbi vajzat dhe gratë e tyre!

Jam krenare që jam femër. Ju vrasës, ju që merrni jetën e vajzave dhe motrave tuaja, e dini ju se, për ju, nuk ka vend as në këtë botë dhe as në botën tjetër? Ju nuk guxoni që ta thithni gjakun e vajzave të reja si vampirët. Ju nuk i vrisni ato. Vetëm sa i hiqni qafe. Ato kthehen në ëngjëj dhe bëhen të pavdekshme. Ato na vështrojnë nga qielli dhe luten që dhuna dhe robëria mashkullore mbi femrën, të marrë fund. Me shumë krenari flas këtu, përpara burrave dhe grave, megjithëse plagët e zemrës nuk më janë shëruar akoma dhe nuk do të më shërohen kurrë. Kam humbur vajzën time 16 vjeçare. Ajo u vra nga përbindëshat, nga ata që, jeta dhe mjedisi ku ata e jetojnë jetën, nuk ka asnjë kuptim. Përbindësha që dinë të përshtaten vetëm me mjedise të origjinës së tyre, atë të njeriut të egër. Vajza ime është viktimë e asaj kulture në të cilën, kur lindet djali, kërcet pushka nga të katër anët ndërsa për vajzën, familja ngushollohet me fjalët: -A u mërzitët për atë beter që ju leu? Dhe “beterin” e fshehin diku sa më larg dhe më thellë që, jo vetëm të mos shihet por, edhe të mos dëgjohet.

Vajza ime ishte vajza dhe shoqja ime. Megjithëse, prej 17 vjetësh, si bashkëshorte, e jetoj jetën vetëm në errësirë, nuk e kam humbur krenarinë e gruas. Me zemër të gjakosur por me krenarinë e ligjshme të gruas, gjithnjë jam munduar ta mbaj kokën lart dhe me një buzëqeshje të embël në fytyrë.

Bija ime e dashur, shpirti i nënës, lulja e parë e gjakosur për mua, ti re për lirinë tonë dhe ndoshta për mijëra gra dhe vajza të tjera të cilat e kalojnë jetën e tyre në errësirë, ashtu siç i kalove edhe ti 16 pranverat tua. Shpresoj se do t’i lutesh Zotit, dhe ai do të të dëgjojë ty, për lirinë e gruas së robëruar në tokë.

Ne gratë jemi gjithçkaja e kësaj bote. Ne jemi uji që shuan zjarret, ne jemi ajri që freskon shpirtrat, ne jemi ara ku mbillet fara dhe ne jemi ato, që ushqejmë me gjirin tonë, dhe rrisim në prehërin tonë të ardhmen e njerëzimit.

Ju lutem, të gjithëve, për ta ndaluar dhunën mbi gratë! Ju bëj thirrje të gjitha grave që dhunohen nga burrat në familjet e tyre, mos u rrëzoni përtokë: Ju duhet të mbaheni të forta dhe të pamposhtura! Mos lejoni që personaliteti dhe bukuria juaj të shndërrohen në asgjë! Ju nuk duhet ta lini veten tuaj që të thaheni si lulja në vazon pa ujë. Askush nuk do të mund të kalojë mbi kurrizin tonë nëse ne nuk do ta përkulim atë. Do të vijë koha kur vrasësit tonë do të zhduken përgjithmonë. Por, kohën e kësaj kohe, për ta shpejtuar apo vonuar, më shumë se askush tjetër, e kemi në dorë ne, gratë.

Lutja më e madhe që unë po ju drejtoj ju, grave dhe vajzave është: Mos i mbani për veten tuaj dhe brenda vetes tuaj dhimbjet e dhunës! Flisni me shoqet tuaja, me mësueset tuaja mbi dhimbjet tuaja, përndryshe, në rastin më fatkeq, ju pret vdekja. Këtu dua ta përfundoj fjalën time. Falenderoj nga zemra të gjitha pjesëmarrëset dhe pjesmarrësit për prezencën e tyre! Falënderoj organizatën e gruas që na mundësoi këtë manifestim kundër dhunës! Të gjitha grave ju uroj liri! Kam edhe një porosi për vajzat e reja: Ju duhet ta shijoni jetën, ashtu siç e dëshironi vet, pa u trembur dhe bërë pishman për gabimet e lëna pas, pavarësisht nga lloji i tyre. Askush nuk e ka merituar dënimin me vdekje dhe mbi të gjitha, vrasjen nga pjestarët e familjes, jo dhe jo.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat