Fadil Arifi, veprimtar i Gjeneratës së Republikës: Dhuna e policisë ishte përmendur në konferencën e presidentit Rugova

Sporti

Fadil Arifi, veprimtar i Gjeneratës së Republikës: Dhuna e policisë ishte përmendur në konferencën e presidentit Rugova

Nga: Kemajl Goca Më: 30 mars 2021 Në ora: 19:30
Fadil Arifi, veprimtar i Gjeneratës së Republikës: Dhuna e policisë ishte përmendur në konferencën e presidentit Rugova

Vitet më të rënda në historinë e popullit shqiptar të Kosovës, ishin vitet e 90-ta, ku u përballen me dhunën e shfrenuar të regjimit kriminal serb!

Kosova është rast i vetëm dhe i veçantë në botë, që organizoi çdo aktivitet në sferat e ndryshme në kuadër të Republikës së Kosovës dhe gjithnjë të kërcënuar rëndë, nën tytat e automatikëve të milicisë së pushtuesit serb.

Kurrë nuk u ndalën në asnjë sferë dhe as në sport por i kanë bërë rezistencë të fuqishme milicisë dhe bandave serbe.

Image

Fadil Arifi në mes

Fadil Arifi i takon Gjeneratës së Republikës, i cili ka qenë një vit kryetar i KK Prishtinës dhe pastaj themelues i KK Ippon nga Prishtina dhe veprimtar i shquar i karatesë në vitet e 90-ta (1991-1999) dhe vazhdimisht i kërcënuar nga inspektorët e regjimit serb. 

Ai për gazetën kombëtare “Bota sot”, tregon disa nga rastet më të rënda që u ballafaqua me agresorin serb.    

“Isha organizator i turneut të parë ndërkombëtar Ippon me 1995. Pas paralajmërimit mes mediave të pakta të kohës, e më shumë mes Radio Tetovës (një linjë drejtpërsëdrejti) se do të marrin pjesë edhe karateistët e Maqedonisë dhe Shqipërisë, një ditë më herët me thirrën dy inspektor të sigurimit serb, ne lokalin Kairos, aty ku u mbajshin të gjitha takimet e drejtuesve të sportit paralel të asaj kohe. 

Ata në prani të Besim Hasanit, drejtues i sportit te Kosovës dhe sekretar i përgjithshëm i FKK, me morën në bisedë të nxehtë informative.

Në një kënd të lokalit ishin kupat dhe medaljet e punuara në Famipa të Prizrenit për turneun Ipponi të cilat e zbukuronin ambientin e lokalit.

Pasi u ula me treguan se kush janë. Mu prezantuan dhe menjëherë  hynën ne temë.

Çka janë këto suvenire?

Isha i vetëdijshëm se janë të njoftuar dhe ua thash drejtpërsëdrejti se janë për turneun e parë ndërkombëtar të karatesë ‘Ipponi 95’. Tha do të vijnë nga Shqipëria?

I thash i kam ftua dhe pres që do të vijnë nga Shqipëria dhe Maqedonia.
Më thanë pse se ke lajmërua në polici (në atëkohë milici) edhe e shikuan orën, e me thanë të paska kaluar afati sepse duhet 72 orë më herët.

Ju thashë s’kam nevojë me lajmërua, është turne i mbyllur, vet kujdesemi për siguri. Ata më shtruan shumë pyetje tjera provokative. 

Meqenëse thanë se keni "lajmëruar" me kohë duhet ta anuloni. Pa hezitim ju thash se nuk do ta anuloj dhe do ta organizoj sipas orarit te paralajmëruar. Gjithashtu e dinin edhe vendin.

Me ironi në fund të bisedës me pyetën: A po na thirrni neve mysafir? Ju thash duke qeshur se të mirëseardhur s'jeni, por nuk mundem me ju ndalë. U qeshën me zor dhe njëri nga ta më tregoj se ju do ti bartni pasojat e organizimit”, tregon Arifi për gazetën kombëtare “Bota sot”.

Arifi tregon se çfarë ndodhi pas kësaj.

“Të dielën, në ditën e garave ishte festë sportive. Kolona e karateistëve dhe shikuesve ishte e gjatë, valë valë shkonin rrugës për sallën e shkollës ‘Asim Vokshi‘ në Lagjen ‘Kodra e Trimave’.

Qysh në orën 7 të mëngjesit në oborrin e shkollës ishte vendos autoblinda me dhjetëra policë te armatosur si në kohë lufte.
Dhunshëm na e ndaluan edhe të afrohemi aty, e në mesin e të parëve që përjetuan dhunën ishin Safet Ramadani dhe Nazmi Ibërdemaj por edhe shumë sportist të tjerë. Ky aktivitet nuk u mbajt  por u shty për pak muaj më vonë.

U organizua më shumë sukses në Bresalc të Gjilanit.
Edhe 13 turne të tjera u organizuan pas lufte duke bërë emër si ndër turnetë me të forta ndërkombëtare në këtë pjese te Evropës.

Kjo dhunë e policisë ishte përmendur në konferencën e presidentit Rugova me gazetarë”, shpjegon Arifi se si u pengua të mbahet aktiviteti ndërkombëtar.

Arifi me gjithë kërcënimet e mëdha, asnjëherë nuk u ndal por kontribuoi për sportin e Kosovës në vitet më të rënda.
“Veç kësaj, kishim një sallë të improvizuar te karatesë për nevoja të Klubit të Karatesë Ippon Prishtinë në një bodrum në lagjen Dardania, pikërisht nën kurriz.

Aty përveç ushtrimeve të klubit e kishin në dispozicion edhe përfaqësuesja e Kosovës në karate të cilët aty ushtronin shpesh, sidomos para garave jashtë vendi. Po ashtu edhe Ansambli i Këngëve dhe i Valleve ‘Shota’ i bënin ushtrimet.
Na ra në gjurmë milicia dhe na e mbylli, na e demoloj dhe na e mbylli.

Pajisjet e shumta na i morën. 

Mua me ftuan ne stacion, dhe aty mi ‘numëruan’ të gjitha. Ishin në dijeni që e editoja gazetën sportive për sporte luftarake ‘Ippon’ dhe me bën pyetje te ndryshme rreth saj, më kërcënuan në mënyrat e tyre të njohura”, përfundon Arifi rrëfimin e tij.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat