Në konferencën dy ditore për Edukimin Fizik, Sportin dhe Shëndetësinë kërkohet më shumë vëmendje mbi zhvillimin e sportit në Kosovë dhe Shqipëri

Sporti

Në konferencën dy ditore për Edukimin Fizik, Sportin dhe Shëndetësinë kërkohet më shumë vëmendje mbi zhvillimin e sportit në Kosovë dhe Shqipëri

Më: 22 dhjetor 2021 Në ora: 12:23
Komiteti Olimpik i Kosovës

Komiteti Olimpik i Kosovës në bashkëpunim me Universitetin e Prishtinës, konkretisht Fakultetin e Edukimit Fizik dhe Sportit, Universitetin e Tiranës dhe Komitetin Olimpik Kombëtar Shqiptar kanë organizuar Konferencën e 3-të Ndërkombëtare Shkencore për Edukimin Fizik, Sportin dhe Shëndetin e cila do të zgjatë dy ditë, (e mërkurë dhe e enjte).

Në këtë konferencë krahas presidentit të KOK-ut, Ismet Krasniqi, po marrin pjesë edhe presidenti i KOKSH-it, Fidel Ylli, trajneri më i mirë në botë në sportin e xhudos, Driton Kuka, rektori i UP-së, Naser Sahiti, rektori i UT-së, Agron Kasa, dekani i FEFS-it, Musa Selimi, etj.

Me këtë rast, i pari i KOK-ut Ismet Krasniqi tha se sukseset e arritura nga sportistët e Kosovës duhet të jenë inkurajim për hulumtuesit shkencorë që të dalin me konkluzione të cilat e avancojnë idenë e sportit.

Krasniqi: Sukseset e sportistëve të Kosovës duhet të hulumtohen dhe studiohen shkencërisht

“Kosova edhe pse është një shtet i vogël, të arriturat në sport e kanë bërë që të krahasohet me shtete më të fuqishme në botë dhe dëshmia më e mirë ishin edhe rezultatet në Lojërat Olimpike Tokio 2020 ku me vetëm 11 sportistë pjesëmarrës dhe prej tyre vetëm gjashtë me norma olimpike fituam dy medalje të arta me xhudistet Distria Krasniqi dhe Nora Gjakova dhe se në përgjithësi kemi tri medalje të arta nga dy olimpiada dhe atë fal trajnerit të sapo shpallur më i miri në botë për vitin 2021 Driton Kuka. Sukseset e tilla duhet inkurajuar të gjithë pjesëmarrësit në këtë konferencë por edhe hulumtuesit e tjerë vendor dhe ndërkombëtar që nëpërmjet kërkimit shkencorë të dalin në konkluzione të cilat e avancojnë idenë e sportit, sportistëve dhe lëvizjes olimpikë në vendin tonë.”.

Kurse presidenti i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar Fidel Ylli tha se sporti është aktiviteti të ndikon drejtpërdrejtë që rinia të largohet nga veset jo të mira, derisa shtoi se me sukseset e mëdha të arritura në sport, Kosova e ka bërë çlirimin më të madh, sidomos me trofetë e fituara në Lojërat Olimpike.

Ylli: Çlirimin më të madh Kosova po e arrin me anë të sportit

“Çlirimin më të madha Kosova e bëri me parakalimin në Lojërat Olimpike të Brazilit ku parakaloi në 206 komitete olimpike. Ky është sporti, pra njihja më e madhe e Kosovës u bë nëpërmjet sportit dhe njohja më e madhe e Kosovës në të gjithë rruzullin tokësor u bë nëpërmjet Komitetit Olimpik, nëpërmjet xhudistes Majlinda Kelmendi, Distria dhe Nora të cilat i kanë dhënë Kosovës atë imazh ku e gjithë bota nxori trajnerin më të mirë Driton Kuka që ka bërë një punë të jashtëzakonshme”, tha Ylli.

Nga ana tjetër ambasadori i Shqipërisë në Kosovë Qemal Minxhozi kërkoi që sporti dhe krijimi i kushteve për t’u marrë me sport duhet të jetë objektiv primarë i qeverive përkatëse dhe se për këtë Kosova është një shembull shumë i mirë duke parë sukseset madhështorë që i ka arritur deri më tani.

Minxhozi: Qeveritë duhet të kenë objektiv primar investimet në sport.

“Është tepër e rëndësishme që ne të kthejmë sytë për mbrojtjen e shëndetit të njerëzve dhe në radhë të parë shëndeti i njerëzve bëhet me një pjesëmarrje aktive në sport, me një lëvizje olimpikë për ndërgjegjësimin e njerëzve që mos të shkojnë në dyert e spitaleve por të kalisin trupin, mendjen, shëndetin për t’u mbrojtur nga çdo gjë që ne nuk e dëshirojmë. Është tepër e rëndësishme fakti që ne kemi kampion olimpik botëror, sidomos Kosova që ka bërë një hap më tepër se Shqipëria në këto vite. Kampionët që kemi si në Kosovë dhe në Shqipëri do të thoja janë një burim i madh frymëzimi jo thjeshtë për njerëzit, por duhet të jenë një burim i madh frymëzimi për njerëzit që merren me sportin... Qeveritë duhet të jenë në një presion të madh për të krijuar një hapësirë me studimet që ju bëni për të investuar më tepër në lëmitë e mësipërme”, theksoi Minxhozi.

Në konferencë janë të ftuar profesorë të shumtë vendorë dhe të huaj, të cilët për dy ditë radhazi do të prezantojnë punimet e tyre shkencore në fusha të ndryshme të sportit.

Qëllimi i konferencës është nxjerrja e konkluzioneve, të cilat avancojnë nivelin e sportit, sportistëve dhe Lëvizjes Olimpike në vendin tonë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat