​Kursi për Administratorët e Sportit, synohet ngritja e kapaciteteve në organizatat sportive

Sporti

​Kursi për Administratorët e Sportit, synohet ngritja e kapaciteteve në organizatat sportive

Më: 19 nëntor 2022 Në ora: 18:34
Drejtori i Departamentit të Sportit në Ministrinë për Kulturë, Rini e Sport, Ibër Alaj si dhe koordinatori për edukim i Akademisë Olimpike, Fitim Arifi

Drejtori i Departamentit të Sportit në Ministrinë për Kulturë, Rini e Sport, Ibër Alaj si dhe koordinatori për edukim i Akademisë Olimpike, Fitim Arifi, vazhduan sot ligjërimin në kuadër të Kursit për Administratorët e Sportit.

Ligjërimi i sotëm i përkiste sportit të basketbollit, ku pjesëmarrësit mësuan për hartimin e planit strategjik në federatat e tyre.

Drejtori i këtij programi, Ibër Alaj për kp tregoi rëndësinë e këtij kursi, ku tha se synimi është që të nxiten pjesëmarrësit që të kenë një plan strategjik në mënyrë që imazh i organizatave sportive të jetë qeverisja e mirë, si dhe t’i kenë partnerë institucionet private dhe ato publike.

"Përmes këtij programi synohet që të nxiten pjesëmarrësit të cilët janë në organizatat sportive që të qeverisin bazuar në vendimet që merren në organet përkatëse, por në të njëjtën kohë të kenë një program që të ndërlidhet me aspektin e marketingut apo të hyrave të cilat duhet të krijohen, duke e pas një plan strategjik në mënyrë që imazhi i organizatave sportive të jetë mirëqeverisja por që t'i kenë partnerë edhe institucionet private por edhe në institucionet publike”, tha Alaj.

Ndërkaq, koordinatori për edukim i Akademisë Olimpike, njëkohësisht edhe ligjëruesi i këtij kursi, Fitim Arifi, për KosovaPress tha se është hartuar plani për edukimin e trajnerëve, i cili është licencuar nga Ministria e Arsimit dhe pritet që të fillojë jo-formalisht që nga viti i ardhshëm.

"Akademia Olimpike është formuar nga Komiteti Olimpik vitin e kaluar dhe në kuadër të Akademisë Olimpike organizohen kurset për administratorët sportivë, kurset për menaxherët për avancimin e sporteve, menaxhimin e sporteve në organizatat sportive, si dhe jemi në kuadër të Akademisë Olimpike është hartuar programi për edukimin e trajnerëve, program ky i cili do të licencohet në Ministrinë e Arsimit, dhe po shpresoj që do të fillojë vitin e ardhshëm si program jo formal për mësimin në kuadër të trajnerëve sportivë”, tha Arifi.

Po ashtu, Arifi tregoi se çka po synohet përmes Kursit për Administratorët Sportivë.

"Nëpërmes këtij programi synohet që të ngritën kapacitetet në të gjitha organizatat sportive, si në administrimin e organizatave sportive, klube sportive, në menaxhimin e federatave sportive dhe asociacioneve të ndryshme sportive të cilat kanë të bëjnë me sportin"

Për fund, Arifi tha se pjesëmarrja në kurset e zhvilluara deri tani ka qenë jashtëzakonisht e madhe,

“Nga të gjitha kurset që i kemi zhvilluar deri tani pjesëmarrja ka qenë jashtëzakonisht e madhe, mund ta them masive, për shkak të interesimit të tyre për ngritjen e kapaciteteve të gjithë administratorëve sportivë të cilët veprojnë nëpër klube apo federata sportive”, tha Arifi.

Deri tani janë përfunduar tre kurse në kuadër të Kursit për Administratorët e Sportit, ku pjesëmarrës kanë qenë afro 90 persona nga organizatat, klubet apo federatat sportive.

Ndër to ishin Federata e Golfit dhe e Minigolfit, ndërsa në grupin e dytë ishin federatat më të vogla si ajo e Kajakimit, Bjeshkatarisë dhe Ngjitjes Sportive, Federata e Mundjes së Krahëve, ajo e Padelit, kurse sot ishte Federata e Basketbollit, nga e cila kishte interesim masiv. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat