ZKA-ja nis auditimin e investimeve në vlerë mbi 7 milionë eurosh për tri stadiume në vend

Sporti

ZKA-ja nis auditimin e investimeve në vlerë mbi 7 milionë eurosh për tri stadiume në vend

Më: 10 shkurt 2023 Në ora: 15:59
Foto ilustrim

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka filluar auditimin me temën “Renovimi dhe rikonfigurimi i stadiumeve në qytetin e Mitrovicës, Gjilanit dhe Gjakovës”, për periudhën 2017-2021, projekte këto të financuar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

ZKA njofton se auditimi do të përfshijë planifikimin, menaxhimin, monitorimin dhe raportimin lidhur me investimet në këto stadiume, kostoja e të cilave ishte në vlerë rreth 7.12 milionë euro. 

“Auditimi ka për qëllim të vlerësojë nëse institucionet përgjegjëse kanë qenë efikase në menaxhimin e projekteve për renovimin dhe ri konfigurimin e stadiumeve; procesin e prokurimit të këtyre projekteve, për të parë nëse janë arritur qëllimet e përcaktuara si dhe nëse stadiumet përfundohen brenda afatit kohor dhe sipas standardeve të kërkuara”, thuhet në njoftimin e ZKA-së. 

Subjekt i auditimit për renovimin dhe rikonfigurimin e këtyre stadiumeve është Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit si një nga sponsorët dhe prokuruesit kryesor të projekteve të infrastrukturës sportive – stadiumeve të futbollit, si dhe komuna e Mitrovicës, Gjilanit dhe Gjakovës në të cilat janë bërë renovimet dhe ri konfigurimet e stadiumeve.

Zyra Kombëtare e Auditimit përmes këtij auditimi synon të ofrojë rekomandime të rëndësishme për përmirësimin e proceseve të kontraktimit të ndërtimit të stadiumeve dhe menaxhimit më të mirë të tyre.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat