Enkileda Carja dhe Erkand Qerimaj, më të mirët në kampionatin kombëtar

Sporti

Enkileda Carja dhe Erkand Qerimaj, më të mirët në kampionatin kombëtar

Më: 12 mars 2023 Në ora: 19:54
Pamje nga ceromonia

Peshëngritja shqiptare ka nisur një prej sezoneve më të rëndësishme, kualifikues për “Paris 2024”, teksa të premten ka mbajtur kampionatin kombëtar për të rritur.Aktiviteti i zhvilluar në ambientet e hotel “FAFA” pa të konkurronin sportistët më të mirë të shtangës.

Në radhët e femrave spikati edhe njëherë tjetër Enkileda Carja. Peshëngritësja e talentuar e Elbasanit mahniti edhe njëherë me paraqitjen e saj me rekord në kategorinë e peshave 59 kg.

Ndonëse në janar ka mbushur 15 vjeç, Enkileda konfirmohet si një talent i madh, duke u treguar superiore edhe në garën me të rriturat.

E stërvitur nga trajnerja Eglantina Kalemi, Carja po regjistron rezultate të shkëlqyera garë pas gare, ndërsa në kampionat u shpall sportistja më e mirë e aktivitetit në radhët e femrave.

Ndërkohë titulli kampion ekipor për femra shkoi për Tiranën.

Duke kaluar te meshkujt, Erkand Qerimaj ka ndezur motorët, teksa e ka nisur vitit me titullin e sportit më të mirë në kampionat, duke shkëlqyer në kategorinë e peshave 81 kg.

Sezonet kalojnë, por shkodrani mbetet gjithnjë në majë si një “ujk i vjetër” i shtangës, ndërsa rivalëve u duhet ende punë për ta mundur. Në rang ekipor për meshkuj është Tirana që vazhdon të bëjë ligjin, duke koleksionuar titullin e radhës.

Presidenti i FSHP-së, Elez Gjoza, përgëzoi sportistët për përkushtimin që po tregojnë: “Jam shumë i kënaqur me mënyrën e stërvitjes së sportistëve.

Ka ndryshuar tërësisht mënyra e sjelljes së sportistëve.

Tashmë nuk janë më ata sportistët tekanjozë, por janë nënshtruar një stërvitjeje serioze, pasi e gjithë federata është bërë tashmë kompakte.

Dua të falënderoj në radhë të parë trajnerët, të cilët janë duke bërë një sakrificë të jashtëzakonshme”, u shpreh ndër të tjera Elez Gjoza.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat