Besim Aliti tregon për infrastrukturën sportive dhe çka do të ndërtohet për organizimin e Lojërave Mesdhetare në Kosovë   

Sporti

Besim Aliti tregon për infrastrukturën sportive dhe çka do të ndërtohet për organizimin e Lojërave Mesdhetare në Kosovë   

Kemajl Goca Nga Kemajl Goca Më 7 prill 2023 Në ora: 19:24
Besim Aliti

Kosova ka aplikuar për organizim të Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030”.

Optimizëm i madh është tek Komiteti Olimpik i Kosovës, të cilët besojnë e shpresojnë se do të marrin organizimin e Lojërave Mesdhetare

Sekretari i përgjithshëm i KOK-ut, Besim Aliti, tregon për situatën e infrastrukturës sportive dhe çka do të ndërtohet për organizimin e Lojërave Mesdhetare në Kosovë. 

Image

Besim Aliti

“Bota sot”: Kosova ka aplikuar për organizimin e Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030. A mund të organizohet një garë e nivelit të lartë me kapacitetet e infrastrukturës që ka aktualisht Kosova? 

Besim Aliti: Sa i përket aplikimit Komiteti Olimpik i Kosovës e ka shpreh interesimin për të organizuar Lojërat Mesdhetare 2030. Natyrisht që kjo nuk mund të bëhet vetëm nga KOK-u, organizimi i Lojërave Mesdhetare është një ngjarje multisportive, me efekt multidimensionale për shtetin e Kosovës. Pra, duhet ta konsiderojnë të gjithë dashamirët e sportit dhe komuniteti sportiv si interes kombëtar.

Është mundësia, ndoshta nuk do t’i mundësohet Kosovës edhe 100 vitet e ardhshme të organizojë një ngjarje multisportive dhe të madhe e cila është edhe ranguar si ngjarje multisportive ndër më të fuqishme në botë, duke marrë parasysh se marrin pjesë 26 shtete nga tri kontinente, pra nuk ka shumë ngjarje jashtë Lojërave Olimpike apo Kampionate Botërore ku marrin pjesë më shumë kontinente. 

“Bota sot”: A mund ia dalim?

Besim Aliti: Nëse flasim për pjesën e multisporteve, a do të ia dalim?  Unë mendoj që po! Jam i bindur sepse nuk besoj që kishim kandidatuar apo nuk kishim kandidatuar nëse kishim pas një dyshim më të vogël, që Kosova nuk do të mund t’ia dilte. 

Duke marrë parasysh, pavarësisht që lojërat thirren Prishtina 2030, planifikimi është që lojërat të shtrihen në të gjithë Kosovën, të mbahen në shtatë rajone kryesore, për këtë arsye edhe kur e kemi dërguar interesimin për organizimin e Lojërave Mesdhetare, interesimi ka ardhur edhe nga KOK-u edhe nga MKRS-ja gjithashtu edhe nga shtatë kryetarët e komunave kryesore, shtatë rajoneve, të cilët të gjithë e kanë shprehur gatishmërinë që të janë pjesë e projektit. 

Gjithashtu edhe televizioni kombëtar, i cili gjithashtu ka garantuar mbështetjen për arsye që RTK-ja është pjesë e Eurovisionit i cili është partner i Komitetit ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare.   

Lobimi për një organizim të tillë, ka zgjatur më shumë se një vjet ndoshta edhe dy vjet që jemi duke punuar për këtë organizim apo për lobim për t’i fituar Lojërat Mesdhetare dhe kombinimi i kësaj ka qenë organizimi i bordit ekzekutiv i KO Lojërave Mesdhetarë, i cili është mbajtur në dhjetor, në Prishtinë, ku ka pas përfaqësues të 26 shteteve, bashkërisht me kryetarin, sekretarin dhe bordin e KO Lojërave Mesdhetare, ku kryetari i kësaj organizate ka theksuar që Kosova e ka motivin e duhur, vullnetin e duhur dhe përkrahjen e duhur nga instancat politike dhe gjithë instancat apo gjithë akterë të sportit në Kosovë, për të organizuar Lojërat Mesdhetare.

“Bota sot”: Ku jemi me infrastrukturë? 

Besim Aliti: Ku jemi me infrastrukturë dhe sa investime kemi nevojë të bëjmë? Unë nuk mendoj se në asnjë moment që Kosova duhet të fokusohet në investime megalomane, por duhet të jemi real, duhet të krijojmë infrastrukturë të qëndrueshme, duhet të krijojmë infrastrukturë e cila mund të mirëmbahet dhe infrastrukturë e cila tani mund të sjell të hyra përmes organizimeve të ndryshme gjatë gjithë viteve pasi që të rregullohet infrastruktura.

Mund të krijojë kapacitete profesionale dhe burime njerëzore të cilët mund të menaxhojnë këto palestra sportive apo objekte sportive, të cilët duhet të ndërtohen apo të rinovohen. Mendoj që duhet të ndërtojmë infrastrukturën apo rinovojmë infrastrukturën në bazë të kërkesave të KO Lojërave Mesdhetare. Kur flasim për kërkesa, kërkesa kryesore është akomodimi, ku do të jenë të stacionuar apo akomoduar 5.000 persona, të cilët nuk do të jenë të gjithë të njëjtën, por piku i periudhës, maksimumi që do të jenë në të njëjtën kohë është përafërsisht 3.000 persona.

Këtu janë shumë mundësi, është mundësia e investimeve  publiko – private, ku mund të investohet një lagje apo diçka tjetër si në shumë vende tjera apo ka edhe raste si në shumë shtete, rinovohet qendra e studentëve, ajo krijon një trashëgimi shumë afatgjate dhe realisht investimi në pikën kyqe të një shoqërie shëndetshme, ata janë studentët, përmirësohet jeta e studentëve, jeta akademike dhe mundësia që studentët e jashtëm të studiojnë në Kosovë përmes renovimit të qendrës studentore, e cila e ka kapacitetin e duhur për të akomoduar fshatin olimpik apo të jetë e quajtur fshat olimpik. 

Definitivisht kemi nevojë edhe për stadium, stadium kombëtar, ku duhet të organizohet ceremonia e hapjes dhe e mbylljes, edhe këtu ekzistojnë disa mundësi, mund të jetë ndërtimi i arenës kombëtare të re, me mbështetje të UEFA-s apo të fondeve të jashtme, edhe participimi i shtetit natyrisht por edhe mund të jetë edhe zgjerimi i kapaciteteve të “Fadil Vokrrit”, i cili me një zgjerim të tribunave dhe me një kapacitet mbi 20 mijë persona, kishte me qenë i gatshëm të akomodojë realizimin e ceremonisë hapjes dhe mbylljes.

“Bota sot”: Po stadiumi i atletikës?

Besim Aliti: Gjithashtu nuk kemi stadium të atletikës dhe kemi nevojë për një stadium të atletikës, me një kapacitet minimumi 3 mijë ulëse. Kemi nevojë për rinovimin e infrastrukturave ekzistuese, siç janë Pallati i Rinisë, i cili duhet t’i mbes sportit si i tillë komplet, kemi nevojë për rinovimin e “1 Tetorit”, kemi nevojë për renovimin e palestrave në të gjitha shtatë rajonet e Kosovës, të cilët mund të organizojnë sporte të ndryshme.

Për shembull nëse e marrim Pejën si shembull, me rinovim me palestrën e Pejës, jam i bindur se mund të organizojmë xhudo apo ndonjë sport tjetër. Kemi nevojë që të ndërtohet qendra kombëtare e sportit, qendra olimpike e sportit, e cila duhet të ketë një kapacitet, një sallë multisportive, e cila mund të akomodojë sporte të ndryshme, siç janë gjimnastika, shigjetaria, një hapësirë për shenjëtari, gjithashtu kërkesat janë edhe dy pishina olimpike. 

“Bota sot”: Flisni edhe për pishina olimpike, si qëndron puna?

Besim Aliti: Sa i përket pishinave olimpike, natyrisht kishte me qenë mirë që Kosova të ndërtojë edhe dy pishina olimpike, kjo edhe nëse nuk do të jetë mundësi, unë kam parë që ka kapacitete private të cilët mund (ndoshta) të akomodojnë, ku kemi pas edhe oferta. Për shembull prej STEP i cili është duke ndërtuar pishinat olimpike, që të jenë në dispozion për Lojërat Mesdhetar shtetit të Kosovës për interes publik, edhe kjo është shumë e mirë.

“Bota sot”: Investimet? 

Besim Aliti: Për të përcaktuar saktë se ku do të shkojnë investimet, ne jemi për momentin në fazë të kërkimit të ekspertizës së jashtme të cilat do të bëjnë studimin e fizibilitetit teknik dhe financiar, kjo do të determinojë saktë se cilët do të janë ato objekte për renovim dhe sa objekte kemi me pas nevojë shtesë për të ndërtuar, por shumica e këtyre ndërtimeve shtesë do të janë faktikisht palestra të vogla, me kapacitete mbi 800 ulëse, të cilët duhet të akomodojnë trajnime të delegacioneve apo eventualisht lojërave në fazën grupore të sporteve ekipore.

“Bota sot”: A do të shkon shifra miliardëshe e investimeve dhe a kemi hapësirë për Lojëra Mesdhetare?

Besim Aliti: Absolutisht nuk duhet të shkojë shuma miliardëshe, siç e theksova në fillim, investimet duhet të jenë të qëndrueshme dhe duhet të janë reale e jo megalomane, nëse marrim shembull Lojërat Mesdhetare të viteve të kaluara, Tarragona ka bërë investime minimale, të infrastrukturës sportive sepse e ka pas, nëse nuk gaboi ka investuar diku 50 milionë euro pak a shumë në infrastrukture të përkohshme, si në basketboll, shigjetari etj.

Në Oran u investua përafërsisht 500 milionë euro për ndërtim në infrastrukturë, por në Oran ka qenë shumë më keqe se Kosova nëse flasim për infrastrukturë sportive. Kosova, nuk i kemi shumat e sakta dhe mendoj se do të jetë në përputhshmëri dhe do të jetë në përputhshmëri më hartimin e strategjisë kombëtare, e cila i parasheh me investime dhe është konform me investimet e parapara në MKRS, në buxhetin e miratuar nga Ministria e Financave.

Eventualisht mund të ketë shtesë investime, por këto mund të menaxhohen nga shumë resorë, mund të jetë vet shteti, mund të jetë investime publiko - private, mund të jetë fonde ndërkombëtare, federata ndërkombëtare, FIFA, UEFA, IOC, etj.

Është momenti unik, të  unifikohemi dhe të bashkohemi të gjithë që të punojmë për interesin kombëtar të gjithë së bashku. 

“Bota sot”: Sa janë gjasat që Kosova të marrë organizimin kur ka rival Portugalinë në kandidatur, a kemi shtete që bëjnë presion që mos t’i jepet organizimi?

Besim Aliti: Për momentin Kosova nuk ka konkurrent, Portugalia në negocime që kemi pas të përbashkëta ka vendosur që të konkurrojë për Lojëra Mesdhetare në plazh të vitit 2027. Ka pas edhe kandidat tjerë, për hir të korrektësisë ndaj shteteve që kanë tërhequr kandidaturën nuk shohë momentin për t’i theksuar tash por pasi që të fitojmë organizimin e Lojërave Mesdhetare atëherë do t’i theksojmë shtetet të cilat e kanë tërhequr kandidaturën, për arsye që kemi pas marrëdhënie bilaterale me këto shtete dhe i kanë respektuar ato marrëdhënie bilaterale dhe i kanë dhënë përparësi Kosovës për kandidatur. Nëse ne i plotësojmë kushte deri me 30 qershor dhe gjatë vizitës së inspektimit të komisionit vlerësues në korrik, ne do ti fitojmë lojërat me aklamacion, kjo është dakordimi me KO Lojërave Mesdhetare dhe tek ne mbetet vetëm t’i plotësojmë kriteret. 

Sa i përket politikës, besoj që e kemi dëshmuar instancave ndërkombëtare ne si KOK, të gjitha instancave sportive ndërkombëtare që ne nuk kemi ndërhyrë në politikë kurrë sa i përket pjesëmarrjes, nuk ka pasur akoma asnjë shtet i këtyre 26 shteteve të Mesdheut i cili ka pas një garë në Kosovë dhe nuk iu është lejuar hyrja. Nëse flasim politikisht, Kosova është e hapur, Kosova nuk ka pengesa për asnjë shtet, Kosovë mund të participojnë të gjitha shtetet pa dallim nga shtetësia, kombësia apo feja, apo shteti, kështu që në aspektin politik, është e pastër.

A do të ketë shtete siç është për shembull Serbia apo ndonjë shtet tjetër, që mund të kontestojë, nuk kemi ndonjë informacion për momentin, ne po besojmë që duke u thirrur në kartën olimpike, sidomos në Nenin 5 të kartës olimpike, në Nenin fundamental defakto thotë që sporti duhet të jetë i pavarur nga influncimet politike, unë besoj se duke u thirrur në kartën olimpike si KO do të përkrah organizimin në Kosovë edhe nëse do të kemi pengesa minimale, mendojë se jemi të gatshëm që të ballafaqohemi dhe t’i tejkalojmë këto pengesa dhe të kemi një shumicë të votave në votime për kandidatur të Kosovës .

A do të kemi donacion ndërkombëtare në këtë rast?

Besim Aliti: Absolutisht duhet të ketë donacione të jashtme, jo vetëm donacione, duhet të ketë investime pra modeli në shumicën e shteteve ku organizohen lojërat masive, lojërat këtë rast multisportive zakonisht funksionojnë që shteti ofron mundësi për investime.

Mendoj se është momenti kyq që Kosova të prezantohet si një shtet në zhvillim, një shtet i cili është duke iu rritur imazhi, fuqia turistike, ekonomike dhe në këtë rast të afrohet si një shtet i cili afron investitorë të jashtme, mundësi të investimeve për bashkëpunim, partneritetet publiko – privat, gjithashtu duhet të kërkojë edhe donacione, duke marrë parasysh që Kosova është shteti që ka aplikuar për pranimin në Bashkimin Evropian, besoj që shumë shpejt do të jemi shtet për paraqitje në fondet e Bashkimit Evropian sa i përket fondeve sociale, fondet sociale mbështesin edhe infrastrukturën sportive edhe të akomodimit, gjithashtu duhet të jemi shumë të fuqishëm edhe në kërkesën e donacioneve sidomos të pajisjeve sportive te federatat ndërkombëtare, gjithashtu sa i përket stadiumeve tek FIFA dhe UEFA.

Sa i përket pjesës së investimeve tek edukimi, burimet njerëzore, qendrore diagnostike, ekselencës, këtu duhet të lobojmë shumë në instancat ndërkombëtare siç është Komiteti olimpik Ndërkombëtar.

“Bota sot: Sa duhet të jetë kapaciteti i stadiumit?

Besim Aliti: Kërkesat janë që stadiumi të jetë mbi 20 mijë ulëse, duke pas parasysh stadiumin “Fadil Vokrri”, përafërsisht ka 13 mijë ulëse. Pra, nëse nuk ishte ndërtuar një arenë kombëtare, një rritje me 7 mijë ulëse te stadiumi ekzistues nuk është një investim gjigant.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat