​Drag Race vjen në fundjavë, premtohet spektakël

Sporti

​Drag Race vjen në fundjavë, premtohet spektakël

Më: 5 maj 2023 Në ora: 10:11
Foto ilustrim

Gara e parë e disiplinës Drag Race për Kampionatin e sivjetmë të Kosovës në automobilizëm do të mbahet në këtë fundjavë, në pistën e vjetër të aeroportit në Sllatinë. Në këtë garë, që konsiderohet me rrezikshmëri të lartë, pritet të marri pjesë rreth 100 garues.

Nehat Çitaku, drejtori i klubit Eurogoma Rt që është përgjegjës për organizimin e kësaj gare së bashku me Federatën e Autosporteve të Kosovës, thotë se popullariteti i kësaj gare është gjithnjë një rritje dhe se përveç garuesve vendas, aty do të marrin pjesë edhe garues nga rajoni dhe Evropa.

Çitaku: Drag Race është garë me rrezikshmëri të lartë

“Gjatë kësaj fundjave, të shtunën dhe të dielën në pistën e vjetër të aeroportit në Sllatinë do të mbahet si zakonisht gara e parë e sivjetme prej katër garave të disiplinës Drag Race, disiplinë që ka një popullaritet të madh, ka fansa të shumtë të kësaj disipline por edhe garues që kohëve të fundit që përveç nga Kosova, vijnë edhe nga regjioni, madje edhe nga Evropa... Një garë e cila është me rrezikshmëri të lartë për arsye se aty zhvillohen shpejtësi jashtëzakonisht të larta edhe tentohet që të thyhet edhe rekordi i shtegut... Gjatësia e shtegut është një e katërta e një milje...që do të thotë 402 metra është saktësisht gjatësia e pistës”, tha Çitaku.

Sipas Çitakut, deri më tani zyrtarisht janë regjistruar mbi 50 garues dhe se ky numër pritet të rritet deri në ditën e garës, derisa shpreson që kushtet atmosferike të jenë të favorshme sepse në rast të reshjeve shiut, gara nuk mund të zhvillohet.

Çitaku: Deri më tani janë konfirmuar rreth 50 garues për këtë garë

“Ne po mundohemi për këtë garë që të ofrojmë kushtet më të mira të mundshme, shpresojmë që edhe koha të na shërbejë për arsye se koha është një kriter shumë i rëndësishëm sepse nëse ka shi gjatë tërë ditës, atëherë vështirë se do të mbahet gara. Megjithatë ne do t’i bëjmë përgatitjet e duhura, i kemi bërë dhe linku për regjistrim në këtë garë ka filluar në fillim të javës. Deri më tani rreth 50 garues janë paraqitur... Kështu që shpresojmë që të jetë një garë e suksesshme edhe sepse është gara e parë e këtij lloji për këtë edicion të garave”, theksoi tutje Çitaku.

Për më të mirët e kësaj gare, do të ketë edhe shpërblime.

Çitaku: Fituesi e kësaj gare do të shpërblehet

“Klubi ka siguruar për të gjithë garuesit, tri vendet e para për të gjitha disiplinat diku 75 kupa dhe mirënjohje për të gjitha disiplinat mirëpo do të ketë edhe shpërblime për më të mirë për të cilët klubi ‘Eurogoma’ do t’i shpërblejë edhe garuesit më të mirë. Sigurisht nëse thyhet rekordi, apo për kohën më të mirë të garës të kësaj fundjave”, bëri të ditur Çitaku.

Sa i përket Federatës së Autosporteve, Çitaku ka kërkuar më shumë vëmendje dhe mbështetje financiare nga ana e Ministrisë së Sportit. Sipas tij, kjo ministri duhet të marr më shumë parasysh specifikat e këtij sporti kur të bëhet kategorizimi i federatave.

Çitaku: Kemi nevojë për mbështetje më të madhe nga ana e MKRS-së

“Ligji për sport dhe ligji për sponsorizim është shumë i favorshëm për federatën tonë për arsye se mundëson që ne të pavarësohemi dhe ndoshta në një të ardhme të afër mos të kemi nevojë fare për mbështetje nga ministria, mirëpo për momentin kemi nevojë. Mënyra se si bëhet kategorizimi për federatën tonë është pak sepse ka specifikat e veta... Andaj unë do të ngritja këtë çështje që tek kategorizimi i sporteve të merren parasysh specifikat e sporteve që i kanë specifikat e veta në mënyrë që të trajtohen sa është e mundshme të barabartë me federata tjera”, tha në fund Çitaku.

Çitaku u ka bërë thirrje të gjithë të interesuarve për këtë lloj të sportit që në fundjave të jenë të pranishëm në Sllatinë sepse kjo garë do të ofrojë spektakël të vërtetë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat