Investoi mijëra euro në veturën e tij të shpejtë, Isufi: Tani synoj arenën ndërkombëtare

Sporti

Investoi mijëra euro në veturën e tij të shpejtë, Isufi: Tani synoj arenën ndërkombëtare

Më: 21 maj 2023 Në ora: 10:49
Leotrim Isufi

Leotrim Isufi ka dalë fitues dy javë më parë në garën automobilistike Drage Race të zhvilluar në Sllatinë. Ai deklaron se dashuria për shpejtësinë dhe adrenalina që ofron ajo kanë bërë që të t’i përkushtohet dhe të merret me këtë lloj të sportit, me të cilin në të ardhmen e afërte synon ta përfaqësojë Kosovën edhe në garat ndërkombëtare.

Në veturën e tij, Isufi ka investuar mijëra euro, duke e modifikuar për ta rritur fuqinë dhe shpejtësinë e saj.

Isufi: Adrenalina është arsyeja pse merrem me këtë sport

“Sa i përket këtij sporti, merremi prej vitit 2015 me këtë sport. Kur kam qenë pak më i ri kam filluar me një veturë Wolksvagen Corado ka qenë, me të cilën kemi marrë pjesë për herë të parë në Drag Race, prej aty fillon adrenalina e këtij sporti. Tani jemi më këtë veturën prapa meje, Audi S3, e cila është me motor origjinal të saj, 1.8 turbo, e cila për momentin ka 785 ps dhe ka transmision DSG të Golf VI R dhe kemi arritur një kohë të mirë, por jo të kënaqshme në këtë kohë, 9.4 sekonda, 245 km/h”, tha Isufi.

Për shkak të pasionit të madh që ka, ai tash e tetë vjet merret me këtë sport.

Isufi në një intervistë për KosovaPress tregoi se nuk ka marrë pjesë në vetëm një prej të gjitha garave Drag Race të zhvilluara gjatë periudhës tetëvjeçare dhe nga gara në garë, ai ka vazhduar t’i thyejë rekordet personale.

Isufi: Nga viti 2015 vetëm në një Drag nuk kam marrë pjesë

“Unë nga vitit 2015 vetëm në një Drag Race nuk kam marrë pjesë, në të tjera komplet kam qenë aktiv. Janë katër Draga komplet vitin, të cilin të parin e kishim tani në maj, në qershor e kemi të dytin...Deri në vitin 2019 ka vozitur në kategorinë FFD, në të cilin kemi qenë me goma të para. Aty jam pozicionuar në fund të vitit i pari, faktikisht kam pasur një rival që nuk kemi qenë të barabartë, por mirë ka qenë. Sa i përket me S3 fillojmë nga vitit 2021, Dragin e parë me të kemi arritur kohën 10.00 sekondat, vitin e dytë kemi bërë kohë, me manual kemi qenë, vetura ndoshta më e shpejta në Sllatinë që është vozitur, kemi qenë 9.7, tani jemi 9.4 me DSG dhe presim një përmirësim ende më të mirë në të.”, shtoi Isufi.

Përtej dëshirës e vullnetit të madh, Isufi tha se mungesa e kushteve në pistën, ku stërviten si dhe mungesa e mbështetjes financiare janë pengesat më të mëdha në ushtrimin e këtij sporti mjaftë të shtrenjtë.

Në veturën e tij, deri më tani ai ka investuar mbi 20 mijë euro.

Isufi: Na mungojnë kushtet dhe mbështetja financiare

“Sa i përket pistës në Sllatinë, Dragi ku organizohet, kushtet që i kemi janë të mira, por ndoshta jo të volitshme për kategorinë e shpejtë, siç e kemi TTR-S, Skender Poterën me 7.8 sekonda kohën, 300 km/h, është pak pista e ngushtë për të vozitur, është shfaqur edhe një aksident vitin e kaluar në pistën tonë, por fatmirësisht pa fatalitet ka kaluar...Deri më tani këtu ku jemi, jemi pa sponsora, vetë e financojmë këtë punë, me forcat tona, është sport i shtrenjtë, sa më poshtë aq amë i shtrenjtë. Investime në të janë të mëdha, por e bëjmë për qef dhe jo për fitim...Deri këtu ku është Audia, sot ku kemi arritur janë mbi 20 mijë euro investim në të...Shpërblimet i kemi sikur unë që e fitova vendin e parë nuk ka fare shpërblim, përveç katër goma na kanë dhënë si shpërblim, por jo, nuk ka kurrfarë fitimi”, u shpreh Isufi.

Përtej garave vendore, Isufi tani ka rritur pritjet nga vetja. Ai tani synon rezultate të mira edhe në garat ndërkombëtare dhe në një të tillë do të marrë pjesë në muajin tetor të këtij viti, që do të zhvillohet në Rumani.

Isufi: Tani synoj rezultate të mira edhe në garat ndërkombëtare

“Pas këtij Dragit që shkoi, e kemi pasur një mbledhje me kryetarin e federatës Ismet Rexhepin, i cili na ka njoftuar që në garat Drag Race, në muajin tetor do të marrim pjesë 10 veturat më të shpejta në Kosovë që jemi do të shkojmë të garojmë në Rumani në pistën Arat. Atje do ta shohim rivalitetin jashtë vendit tonë se si po shkon...Ka shumë vetura të shpejta në Kosovë që besoj se do të arrijmë rezultate të mira jashtë Kosovës”, theksoi Isufi.

E për të qenë sa më të përgatitur për garat ndërkombëtare, Isufi thotë se do të investojë edhe qindra euro të tjera në rritjen e kapaciteteve të veturës së tij.

Ndryshe, më 8 maj, Leotrim Isufi me Audi S3 1.8 Turbo ka fituar garën e parë Drag Race për këtë vit.

Shtegun prej 402 metrave, Leotrimi e ka kaluar për kohën 09.425 sekonda, me shpejtësi mesatare prej 244.90 kilometra në orë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat