Ismet Krasniqi: Jashtëzakonisht krenar për një moment historik

Sporti

Ismet Krasniqi: Jashtëzakonisht krenar për një moment historik

Nga: K.G. Më: 9 shtator 2023 Në ora: 13:15
Presidenti i KOK-ut, Ismet Krasniqi dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës, Ismet Krasniqi, është krenar që ka realizuar projektin gjigant, Kosovës i besohet organizimi i Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030”.

Dje në asamblenë e përgjithshme të Komitetit Ndërkombëtare të Lojërave Mesdhetare, është votuar 55 pro Kosovës, 3 abstenuan dhe 8 kundërt.

“Jashtëzakonisht krenar për një moment historik, për të cilin puna e madhe e bërë u konkretizua me besimin e marrë për të organizuar Lojërat Mesdhetare Prishtina 2030.

Sigurisht se arritja deri këtu nuk ishte e lehtë, pasi është dashur të kalohet nëpër sfida të shumta, e një e tillë dhe e pritshme ishte edhe sot gjatë Asamblesë.

Është moment madhështor, për të cilin ndihem tejet i lumtur, që bashkë me sekretarin e përgjithshëm dhe Bordin, realizuam një premtim timin të dhënë gjatë fushatës time për President të KOK-ut, për organizimin e ngjarjeve të mëdha ndërkombëtare.
Lojërat Mesdhetare hyjnë në mesin e ngjarjeve më të rëndësishme shumësportëshe në botën sportive”
, ka shkruar Krasniqi në profilin e tij në facebook.

Krasniqi ka falënderuar të gjithë ata që e ndihmuan gjatë punës për të çuar procesin para.

Faleminderit të gjithë atyre që punuan për muaj të tërë në këtë proces, nisur nga stafi i KOK-ut, i udhëhequr nga sekretari i përgjithshëm, Besim Aliti, stafi i MKRS-së me ministrin Hajrullah Çeku e zëvendësministren Daulina Osmani, Qeveria me në krye Albin Kurtin, për mbështetjen e fuqishme, ministritë përkatëse, komunën e Prishtinës me në krye Përparim Ramën, si dhe KOKSH-in, me presidentin Fidel Ylli.

Falënderim i madh për të gjithë anëtarët e ICMG-së, miqtë tanë, të cilët i besuan këtij projekti. Fituesi më i madh është sporti dhe rinia jonë, e cila do t’ua shoh hairin këtyre Lojërave për dekada të tëra.

Urime Kosovë! Urime sportdashës!”, ka përfunduar Krasniqi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat