Lajm i keq për rekrutimet në kombëtaret kuqezi

Sporti

Lajm i keq për rekrutimet në kombëtaret kuqezi

Më: 25 tetor 2023 Në ora: 11:53
Bajram Begaj,

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, ka kthyer në kuvend ligjin nr. 77/2023 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.113/2020, “Për shtetësinë”.

Disa nga amendimet e këtij ligji kishin të bënin me krijimin e lehtësirave për talentet shqiptarë që kanë lindur apo jetojnë jashtë kufijve të Republikës së Shqipërisë, duke kërkuar heqjen e provimit të gjuhës shqipe dhe mundësinë e marrjes së pasaportës shqiptare për lojtarët nën 18 vjeç.

Pra, synonin reduktimin e burokracive dhe zgjatjes në kohë të procedurave për t’i veshur kuqezi talentet e përzgjedhur nga stafet teknike të FSHF-së. Ky kthim ligji konsiderohet pengesë në rekrutimin e elementëve të duhur për kombëtaret nga drejtuesit e futbollit në vend, ndërsa kreu i shtetit ka bërë sqarimet e tij, bazuar në kushtetutë, si më poshtë:

Të nderuar deputetë,

Kuvendi i Republikës së Shqipërisë, në seancën plenare të datës 21.9.2023, ka miratuar ndër të tjera dhe ligjin nr. 77/2023 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.113/2020, “Për shtetësinë””. Ky ligj është përcjellë nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë, me shkresën nr. 2996 Prot., datë 4.10.2023 dhe është administruar në Institucionin e Presidentit të Republikës, me shkresën nr. 4126 Prot., datë 4.10.2023.

Presidenti i Republikës, shqyrtoi ligjin e paraqitur për shpallje, duke iu referuar praktikës dhe procedurës parlamentare të ndjekur për propozimin, shqyrtimin, miratimin e tij dhe përmbajtjen e dispozitave të vetë ligjit.

Nga vlerësimi i Kushtetueshmërisë, ligjshmërisë dhe harmonizimit me legjislacionin në fuqi vendas dhe ndërkombëtar rezulton se:

Ligji nr. 77/2023 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.113/2020, “Për shtetësinë””, përbëhet nga 9 nene, 8 nga të cilat ndryshojnë përmbajtjen e neneve të ligjit bazë.

Në praktikën e administruar nga Institucioni i Presidentit të Republikës, bashkëlidhur ligjit, raporti i Komisionit Përgjegjës i datës 17.7.2023 detajon vetëm ndryshimet dhe shtesat ligjore për 5 nene të saj, sepse pjesa tjetër e dispozitave janë shtuar 24 orë përpara miratimit të ligjit, më datë 20.9.2023, si amendamente në seancë të paraqitura nga 5 deputetë propozues, në bazë të nenit 75, pika 4, të Rregullores së Kuvendit.

Amendamentet u përfshinë në tekstin final të ligjit, me përmbajtjen si më poshtë vijojnë:

Amendamenti I

Neni 2

Në nenin 8, “Fitimi i shtetësisë me natyralizim”, bëhen ndryshimet si më poshtë:

Pika 1, shkronja “e” ndryshon si më poshtë:

“e) zotëron njohuri të gjuhës shqipe, të folur dhe të shkruar, si dhe njohuritë bazë të historisë së Republikës së Shqipërisë, të vërtetuar nga institucioni përkatës arsimor. Përjashtim nga ky rregull bëhet vetëm për shtetasit e huaj në shtetet e të cilave gjuha shqipe është gjuhë zyrtare” .

Amendamenti II

Neni 2

Pika 3 ndryshon si më poshtë:

“3. I huaji, që është i martuar me shtetas shqiptar për një periudhë jo më pak se 3 (tre) vjet, mund të paraqesë kërkesë për të fituar shtetësinë me natyralizim edhe nëse nuk plotëson kushtet e përcaktuara në shkronjat “c” dhe “e” të pikës 1 të këtij neni, nëse ka banuar në mënyrë të ligjshme dhe të vazhdueshme në territorin e Republikës së Shqipërisë të paktën për 1 (një) vit gjatë gjithë periudhës së martesës”.

Amendamenti III

Në nenin 11 të ligjit, “Fitimi i shtetësisë nga refugjatët apo nga personat në mbrojtje plotësuese”, bëhen ndryshimet si më poshtë:

Në pikën 1, shkronjat “dh” dhe “e” ndryshojnë si më poshtë:

“dh) nuk ka qenë i dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë në Republikën e Shqipërisë ose në ndonjë shtet të tretë për veprat penale për të cilat ligji shqiptar parashikon dënime me jo më pak se 3 (tre) vjet heqje lirie, me përjashtim të rasteve kur vërtetohet se dënimi është dhënë për motive politike.

e) zotëron njohuri të gjuhës shqipe, të folur e të shkruar, njohuritë bazë të historisë e të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, të vërtetuar nga institucioni përkatës arsimor”.

Amendamenti IV

Në nenin 17 të ligjit, “Paraqitja e kërkesës”, bëhen ndryshimet si më poshtë:

Pika 1 ndryshon si më poshtë:

“1. Kërkesa drejtuar Presidentit të Republikës së Shqipërisë për fitimin, rifitimin dhe heqjen dorë nga shtetësia shqiptare dhe dokumentacioni i kërkuar sipas këtij ligji depozitohen online nëpërmjet platformës elektronike “e-albania”.

Pika 2 ndryshon si më poshtë:

“2. Rregullat e detajuara për dokumentacionin e nevojshëm, formën dhe mënyrën e plotësimit të kërkesës sipas këtij neni, miratohen me udhëzim të përbashkët të ministrit përgjegjës për çështjet e rendit dhe sigurisë publike dhe ministrit përgjegjës për punët e jashtme”.

Amendamenti V

Pas nenit 19 të ligjit shtohet neni 19/1 me këtë përmbajtje:

Neni 19/1

“E drejta për rishikim

Akti administrativ, i cili vendos mospranimin e kërkesës për fitimin, rifitimin apo heqjen dorë nga shtetësia shqiptare, mund të ankimohet pranë gjykatës administrative të shkallës së parë Tiranë në përputhje me legjislacionin përkatës në fuqi”.

Në analizë të Kushtetueshmërisë, shtesat dhe ndryshimet ligjore të përcjella për shpallje, janë pjesë e ligjit nr.77/2023 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 113/2020, “Për shtetësinë””, që sipas nenit 81, pika 2, shkronja “b” të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, miratohet me shumicë të cilësuar prej 3/5 të të gjithë anëtarëve të Kuvendit, minimalisht 84 vota.

Nga procesverbali i seancës plenare të datës 21.9.2023 dhe të dhënave të votimit elektronik konstatohet se miratimi i amendamentit të dytë është bërë me 78 vota, i amendamentit të tretë me 77 vota, i amendamentit të katërt me 78 vota dhe i amendamentit të pestë me 79 vota.

Për një ligj për të cilin Kushtetuta ka parashikuar miratimin me shumicë të cilësuar, konkretisht 84 vota, këto amendamente nuk e kanë marrë numrin e kërkuar të votave dhe nuk mund të quhen të miratuara.

Kushtetuta në nenin 78 përcakton se: “Kuvendi vendos me shumicën e votave, në prani të më shumë se gjysmës së të gjithë anëtarëve të tij, përveç rasteve kur Kushtetuta parashikon një shumicë të cilësuar”, sikurse përcakton në pikën 1 të nenit 83 se “projektligji votohet tri herë: në parim, nen për nen dhe në tërësi”.

Analiza e këtyre dispozitave çon në mënyrë të pashmangshme në konkluzionin se shumica e cilësuar është kërkesë, së cilës i nënshtrohen të tre komponentët e votimit, si votimi në parim ashtu dhe votimi nen për nen dhe ai në tërësi.

Në procesin e kontrollit kushtetues, konstatimi i shkeljeve procedurale, të cilat bien ndesh me një dispozitë kushtetuese (shkronja “b” e pikës 2 të nenit 81 të Kushtetutës) është shkak i vetëmjaftueshëm për kthimin për shqyrtim të ligjit.”

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat