​Kosova dhe Shqipëria organizojnë kampionat të përbashkët në pinpong

Sporti

​Kosova dhe Shqipëria organizojnë kampionat të përbashkët në pinpong

Më: 8 nëntor 2023 Në ora: 14:04
Foto ilustrim

Federatat e Pingpongut të Kosovës dhe Shqipërisë janë akorduar që nga ky vit te fillojnë me organizimin edhe të kampionatit individual të seniorëve krahas kampionatit ekipor që është duke u organizuar disa herë që nga viti 2013.

Kampionati i parë individual mbarëkombëtar (KIM 1) do të organizohet në Kosovë, në Ferizaj me 18 e 19 nëntor, në prag të Festës së Flamurit dhe ditëlindjes së Komandantit Legjendar Adem Jashari, ndërsa kampionati ekipor do të zhvillohet në Shqipëri në fillim të vitit të ardhshëm.

Në KIM 1 do të marrin pjesë 32 lojtarë të dalluar nga Kosova dhe Shqipëria, me ndarje të barabartë 16 meshkuj dhe 16 femra nga secili vend. Përzgjedhja e lojtarëve do të bëhet bazuar në renditjen në ranglistat përkatëse të seniorëve.

Ceremonia hapëse e kampionatit do të organizohet të shtunën (18/11/23) nga ora 14:15 e pjesëmarrësit duhet të jenë në sallë së paku nga ora 14:00.

Kampionati është paraparë të fillon nga ora 14:30 me ndeshjet në kategorinë Çifte Mix (të përziera), me pjesëmarrjen e 32 çifteve që do të garojnë në sistem eliminimi deri në shpalljen e kampionëve të parë të kësaj kategorie.

Më pas, KIM 1 vazhdon me kategorinë individuale faza e grupeve, lojtarët do të ndahen në 8 grupe meshkuj dhe 8 femra. Në secilin grup, 4 lojtarë do të ndeshen secili me secilin për dy vendet e para, që do t'u japin mundësi të vazhdojnë në fazën finale me eliminime.

Ditën e diele, me datë 19, garat vazhdojnë me kategorinë e çifteve të meshkujve dhe femrave, me pjesëmarrjen e 16 çifteve nga secila kategori që do të garojnë në sistem eliminimi deri në shpalljen e kampionëve të parë të këtyre dy kategorive.

Pas përfundimit të garave të çifteve, do të fillojnë ndeshjet me sistem eliminimi 16 lojtarët më të mirë nga faza e grupeve të kategorisë individuale. Si në të gjitha fazat e KIM 1 e posaçërisht në këtë pjesë të kampionatit pritet të ketë shumë ndeshje të forta që supozohet se do të jenë atraktive, sfiduese e emocionuese derisa të shpallet kampioni dhe kampionia e parë e Kampionatit individual mbarëkombëtar Kosovë/Shqipëri.

Klubet nga Kosova që kanë lojtarë të ranguar në 32 më të mirët duhet të dërgojnë konfirmimin e pjesëmarrjes së lojtarëve të tyre që janë në 16 të parët e ranglistës si dhe gatishmërinë për lojtarët që janë të radhitur deri në 32 më të mirët, të cilët do të kenë mundësi të angazhohen në rast të mungesave nga 16 lojtarët e parë, andaj luteni që konfirmimin ta bëni deri me datë 9 nëntor në ora 16.

Shorti i KIM 1 do të organizohet nga komisioni i garave me datë 13 nëntor online dhe të gjithë të interesuarit mund të marrin pjesë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat