​Presidenti i Komitetit Olimpik të Evropës: Gjithë Evropa sytë te Kosova për shkak të sportit

Sporti

​Presidenti i Komitetit Olimpik të Evropës: Gjithë Evropa sytë te Kosova për shkak të sportit

Më: 18 dhjetor 2023 Në ora: 16:46
Foto nga takimi

Presidenti i Komitetit Olimpik të Evropës (EOC), Spyros Capralos dhe sekretari i përgjithshëm, Raffaelo Pagnozi kanë qëndruar për dy ditë në Kosovë ku janë njoftuar me zhvillimin dhe avancimin e sportit në Kosovë, sidomos pasi që Kosova është shpallur fituese për organizimin e Lojërave Mesdhetare në vitin 2030.

Me këtë rast, Presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës, Ismet Krasniqi, ka thënë se Capralos është shprehur shumë i lumtur me punën që ka parë në Kosovë në fushën e sportit dhe se mbështetja e tyre në këtë drejtim është shumë e madhe.

Krasniqi: Kemi mbështetje financiare nga Komiteti Olimpik Evropian

“Capralos na përgëzoi për punët dhe të gjitha progreset që i kemi bërë gjatë kësaj kohe shumë të shkurtër dhe padyshim që ne e falënderuam për suportin të cilin e kemi marrë nga Komiteti Olimpik Evropian duke filluar nga përkrahja financiare direkte prej IOC, mandej edhe projektet e ndryshme që i kemi së bashku me EU-në, mirëpo besoj që këto aktivitete dhe këto punë do t’i vazhdojmë edhe më tutje.”, tha Krasniqi.

Ndërsa, Presidenti i Komitetit Olimpik të Evropës (EOC), Spyros Capralos, theksoi se ka mbetur i mahnitur nga zhvillimi i sportit në Kosovë dhe buxhetin që po i kushtohet kësaj fushe nga ana e institucioneve të shtetit.

Capralos: E mahnitshme ajo që po bëhet në Kosovë për sportin

“Është kohë e vështirë për sportin, janë kohë të vështira në përgjithësi në Evropë, dhe ajo që keni arritur është e jashtëzakonshme. Dua t'ju përgëzoj për atë që keni bërë. Dëgjuam një lajm shumë të mirë për sportin se në buxhetin që u prezantua javën e kaluar u miratua se po hyjnë më shumë para në sport, më shumë para për të krijuar infrastrukturë të re për sportin, diçka që do të mbetet si trashëgimi për të rinjtë e Kosovës dhe gjithashtu duke sjellë më shumë njerëz në sport, sepse kjo do të thotë një jetë më aktive, do të thotë për të rinjtë mënyra më të mira të jetesës në një mënyrë jetese më të shëndetshme dhe gjithashtu do të thotë se më pak njerëz do të nevojiten për sistemin shëndetësor në të ardhmen nëse ata bëjnë më shumë dhe ushtrojnë më shumë sport.”, tha Capralos.

Ai shtoi se e gjithë Evropa ka kthyer sytë te Kosova për të parë se si do të organizohen Lojërat Mesdhetare në vitin 2030.

Capralos: Gjithë Evropa po shikon te Kosova se si do të organizohen Lojërat Mesdhetare.

“Mendoj se Kosova ka bërë shumë progres në sport, por tani është koha për të treguar dhe demonstruar aftësitë menaxheriale të organizimit të ngjarjeve sportive, ngjarjeve më të mëdha sportive, dhe sigurisht Lojërat Mesdhetare të vitit 2030 janë diçka vërtetë e madhe, shumë të vështira për t'u organizuar sepse ka shumë, është një ngjarje me shumë sporte dhe mendoj se e gjithë bota sportive e Evropës po shikon për të parë se sa mirë do të jeni në gjendje t'i organizoni këto lojëra, dhe mendoj se duke parë këtë sukses organizativ të Lojërave Mesdhetare do të çojë në gara të tjera. Në Evropë ne e dimë se organizojmë Festivalin Olimpik Evropian për Rininë, një ngjarje e madhe, shumë e suksesshme. Shumë komitete të tjera olimpike kombëtare duan ta organizojnë atë. Ne kemi më shumë se 2500 atletë që garojnë në 12 sporte të ndryshme dhe është një eksperiencë fantastike për sportistët e rinj të Evropës dhe të cilët do t’u sjellin medaljet e arta të ardhshme në Lojërat Olimpike. Pra unë mendoj se kjo është diçka pasi të keni përfunduar këtë detyrë të madhe, sepse nuk mund të merrni shumë detyra në të njëjtën kohë; pasi të keni përfunduar Lojërat Mesdhetare, mendoj se është diçka që ne mund të jemi të hapur për të parë dhe punuar së bashku për atë që dëshironi për të organizuar.

Gjatë së hënës, i pari i Komitetit Olimpik Evropian është takuar edhe me Kryeministrin e Republikës së Kosovës, Albin Kurti si dhe me ministrin e Ministrisë për Kulturë, Rini dhe Sport, Hajrulla Çekun.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat