​FKK thirrje MKRS-së: Presim të kategorizohemi në kategorinë A, jemi mbi 100 mijë euro borxhe

Sporti

​FKK thirrje MKRS-së: Presim të kategorizohemi në kategorinë A, jemi mbi 100 mijë euro borxhe

Më: 3 shkurt 2024 Në ora: 11:24
Nazmi Gashi

Me mbajtjen e kuvendit të jashtëzakonshëm zgjedhor nga i cili Besart Baruti u zgjodh kryetar, po konsiderohet të kenë marrë fund telashet e mëdha që ishin brenda Federatës së Karatesë së Kosovës.

Sekretari i kësaj federata, Nazmi Gashi ka thënë se federata ishte në një situatë të pa qartë për disa muaj, por zgjidhja erdhi pas një marrëveshje mes dy palëve që ishin krijuar brenda komunitetit të karatesë.

Gashi: Me kuvendi e ri kanë marrë fund të gjitha probleme në Federatën e Karatesë

“Po besojmë që iu ka ardhur fundi atyre problemeve të mëdha që i kemi pasur vitin e kaluar. Po konsideroj të mëdha për shkak të problemeve më vonë që rrodhën, suspendimi i licencës, pastaj krijimi i ndarjes së thellë në grupe e të tjera. Unë i konsideroj të mëdha ato për shkak se ne nuk jemi mësuar të operojmë si komunitet në atë mënyrë...Atë ditë të kuvendit, ne kemi pasur dy kandidatë për kryetarë, kryetari që është rizgjedhur Besart Baruti dhe Shemsi Shaqiri nga klubi Sharri”, ka thënë Gashi.

Por, përkundër zgjidhjes së strukturave të reja, Federata e Karatesë mbeti jashtë listës së kategorizimit të bërë kësaj radhe nga ana e Ministrisë së Sportit, vendim nga i cili, Gashi thotë se kanë mbetur të befasuar, pasi kishin dërguar aplikacionin e kompletuar për kategorizim.

Gashi: Kemi pritur të jemi pjesë e kategorizimit

“Ne kemi pritur që të jemi në listë, por kemi pritur që do të kategorizohemi me një pasues aty që deri të zgjidhet licenca, Federata e Karatesë ka kaq pikë. Çfarë ka qenë surprizë për ne, ka qenë mos marrja në shqyrtim fare e aplikacionit të Federatës së Karatesë dhe po presim që pas këtij kuvendi që të rikthehet, që komisioni ta rishqyrtojë aplikacionin e FKK-së, për shkak se aty nuk humb federata, aty i kemi dërguar ne 26 rezultate të garuesve që presin të kategorizohen, pastaj kemi dërguar rezultatet e trajnerëve që presin të kategorizohen, nuk është vetëm federata si institucion.”, ka theksuar më tutje Gashi.

E pikërisht për shkak të ndarjeve që ishin brenda FKK-së, MKRS kishte pezulluar edhe licencën e kësaj federate, vendim ky që sipas Gashit, e detyroi federatën të futet në mbi 100 mijë euro borxhe.

Gashi: Jemi futur mbi 100 mijë euro borxhe për shkak të pezullimit të licencës

“Ne përveç që kemi humbur, jemi në borxhe mbi 100 mijë euro për vitin e kaluar. Ne ato borxhe që i kemi kishin planifikuar të i mbulojmë me TM3 dhe TM4 sepse ne e kemi pasur një marrëveshje me MKRS-në, ne e kemi humbur edhe të drejtën e sponsorisimit dhe nuk e kemi marrë, na është dashur marrëveshjet për sponsorisim na janë eliminuar, janë tërhequr për shkak të humbjes se licencës edhe ne edhe klubet. Asnjë klub i karatesë vitin e kaluar nuk ka marr vërtetim për sponsorisim. Do të thotë dëmi nuk është bërë vetëm në federatë, dëmi është bërë edhe te garuesit, klubet dhe është pak më e gjerë se sa që shihet”, ka shtuar Gashi.

Përkundër të gjithave, Gashi thotë se presin që pas shqyrtimit të aplikacionit, ata të kategorizohen në kategorinë A.

Gashi: Presim të vendosemi në grupin A të kategorizimit

“Ne në bazë të aplikacionit që e kemi dërguar dhe në bazë të rezultateve e në bazë të shtrirjes dhe kritereve që janë caktuar me rregullore të kategorizimit, ne duhet të jemi në kategorinë A, menjëherë pas xhudos për shkak se gjithmonë aty është vendi ynë edhe ku presim të jemi”, ka theksuar Gashi.

Për ta arritur këtë, në FKK presin kontributin e ministrit, Hajrulla Çeku dhe ministrisë së tij.

Gashi: Presim nga ministri Çeku qasjen e duhur për të na e mundësuar kategorizimin

“MKRS-ja dhe ministri do ta bëjnë më të mirën të mundshme që ne të kategorizohemi, por nëse vjen te ajo, sigurisht do të kemi një kategorizim me kushte të veçanta për shkak se iu është bërë gjithmonë edhe federatave të tjera, kur nuk e kanë gjetur një model i kanë marrë kushtet e veçanta dhe i kanë kategorizuar. Unë jam i bindur që ministri ka bindje edhe orientim pozitiv për zgjidhjen e problemit dhe ne e çmojmë shumë.”, ka thënë në fund Gashi.

Ndryshe, sa i përket garave, gjatë viti 2024, Gashi ka bërë të ditur se federata do të marrë pjesë me numër të madh garuesish nëpër kampionate evropiane e botërore të grup-moshave të ndryshme.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat