​Progres i hatashëm në anti-doping, krerët e Agjencisë Botërore të kënaqur me punën në Kosovë

Sporti

​Progres i hatashëm në anti-doping, krerët e Agjencisë Botërore të kënaqur me punën në Kosovë

Më: 26 mars 2024 Në ora: 12:05
Foto nga vendi i ngjarjes

Sot në ambientet e Komitetit Olimpik të Kosovës (KOK) u mbajt një takim mes krerëve të këtij institucioni dhe përfaqësuesve nga Agjencia Botërore e Anti-Dopingut (WADA), nga Agjencia e Anti-Dopingut të Sllovenisë (SloADO) dhe nga Agjencioni i Kosovës për Anti-Doping (KosADA).

Drejtori i WADA-s, Sebastien Gillot së bashku me drejtorin e SloADO-s, Janko Dvorsak mbajtën sot një takim me krerët e KOK-ut, presidentin Ismet Krasniqi dhe sekretarin gjeneral, Besim Aliti dhe me koordinatorin e KosADA-s, Bernard Tahirbegolli.

Për drejtorin e WADA-s për Evropë, Sebastien Gillot kjo është vizita e tij e dytë në Kosovë pas afro tri viteve, dhe që nga ajo kohë ai tha se ka vërejtur një përparim të madh sa i përket Anti-Dopingut në vendin tonë.

Gillot: Kemi parë përparim të madh gjatë tri viteve të fundit në anti-doping në Kosovë

Është kënaqësi për mua që jam kthyer këtu në Prishtinë, në Kosovë, gati tre vjet pas vizitës sonë të fundit. Ne kemi parë shumë përparim që është bërë gjatë tre viteve të fundit në Anti-Doping në Kosovë. Jemi ende në fund të procesit të themelimit të KosADA-s, Agjencisë Kombëtare Anti-Doping këtu në vend, dhe ne në Agjencinë Botërore për Anti-Doping (WADA) jemi të përkushtuar që ta mbështesim këtë proces sa më mirë që mundemi”, tha Gillot.

Po ashtu, Gillot tha se KosADA e ka mbështetjen e plotë nga Parlamenti i Kosovës dhe Komiteti Olimpik Ndërkombëtar, pasi që është tejet e rëndësishme përkrahja nga autoritetet që të praktikohet sa më pastër sporti, mision ky i WADA-s në të gjithë botën.

Gillot: Parlamenti dhe Komiteti Olimpik Ndërkombëtar janë në mbështetje të plotë të KosADA-s

Tani është shumë e rëndësishme të shihet përkrahja që të gjitha autoritetet në Kosovë po i japin KosADA-s dhe themelimit të kësaj organizate kombëtare për Anti-Doping. Si Parlamenti, ashtu edhe Komiteti Olimpik Ndërkombëtar janë në mbështetje të plotë të KosADA-s dhe themelimit të kësaj agjencie. Pra, është shumë siguruese për ne, për WADA-n, të shohë mbështetjen e autoriteteve në vend. Dhe sigurisht, po, sot pasdite do të jemi në universitet. Është gjithashtu shumë e rëndësishme për ne që të vazhdojmë të përhapim mesazhin e sportit të pastër mes popullatës, padyshim mes sportistëve, por edhe mes popullatës në përgjithësi. Sporti duhet të praktikohet vetëm nëse është i pastër dhe kjo është ajo që ne po përpiqemi të arrijmë kudo në botë”, tha Gillot.

Se anti-dopingu ka pasur një progres të madh në Kosovë e thotë edhe koordinatori i KosADA-s, Bernard Tahirbegolli, për të cilën është e rëndësishme që sportistët tanë të garojnë pastër, pa doping dhe të jenë të barabartë me të gjithë sportistët e tjerë në botë.

Tahirbegolli: Kemi pasur një progres të hatashëm që e ka njohur edhe WADA e SloADA

Kjo është vizita e dytë. Kemi pas vizitën e parë kur ne ishim vetëm në themelet e formimit të një komisioni anti-doping, një organizate anti-doping në nivel të vendit, dhe tash jemi në një situatë krejt tjetër. Kemi pasur një progres të hatashëm të cilin e ka njohur edhe WADA dhe SloADA, prej një komiteti olimpik që e ka nënshkruar kodin botëror anti-doping tash është një komision funksional me një program anti-doping shtetëror me testime të rregullta që bëhen te sportistët, me një edukim të mirëfilltë në mesin e sportistëve dhe gati për t’i transferuar të gjitha këto kompetenca, të gjitha këto veprimtari që janë ngrit në këtë nivel standard të pranuar prej WADA-s tek Agjencia Shtetërore e Anti-dopingut...Jemi para Lojërave Olimpike Paris 2024 dhe është e rëndësishme që plani jonë për anti-dopingun të realizohet në tërësi që sportistët tanë të garojnë pastër, pa doping dhe të jenë të barabartë me gjithë sportistët në botë”, tha Tahirbegolli.

KosADA, është organizatë e përcaktuar nga vendi si institucioni kryesor në nivel kombëtar për programet anti-doping në nivel vendi. Në mars të vitit të kaluar në vendin tonë, respektivisht në Kuvendin e Kosovës, u miratua ligji Anti-doping, i cili ka për qëllim fuqizimin e integritetit të sistemit sportiv, kujdesin ndaj shëndetit të sportistëve dhe sportisteve dhe sigurimi i drejtësisë dhe mundësive të barabarta në gara sportive.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat