​Çeku: Shqipe Bajçinca Brestovci është simbol i këmbënguljes për sukses

Sporti

​Çeku: Shqipe Bajçinca Brestovci është simbol i këmbënguljes për sukses

Më: 3 prill 2024 Në ora: 12:54
Hajrulla Çeku

Në nderim të veprës dhe jetës si profesoreshës së Fakultetit të Edukimit Fizik dhe të Sportit është mbajtur mbledhja komemorative ku nga figurat të shumta sportive kanë vlerësuar lart kontributin që Bajçinca Brestovci ka dhënë për zhvillimin e sportit kosovar.

Ministri i Ministrisë për Kulturë, Rini dhe Sport, Hajrulla Çeku theksoi se Shqipe Bajçinca Brestovci ishte shembulli i rrallë për mënyrën e të bërit punën me shumë dashuri, duke shërbyer për studentët e Fakultetit të Edukimit Fizik dhe të Sportit në mënyrë që gjenerata të reja të shkojnë shtigjeve të sukseseve të reja.

I pari i MKRS-së shtoi se ikja e hershme e Bajçinca Brestovcit ka lënë një boshllëk të madh në komunitetin sportiv, por që ajo do të mbetet një simbol i këmbënguljes dhe mos dorëzimit për të arritur suksese në fushën sportive.

Çeku: Bajçinca Brestovci reflektoi forcën e një gruaje me pasion të madh për sportin

“Ajo ishte sportiste, gjyqtare, punëtore sportive në disa sporte, por angazhimi i saj në sportin e hendbollit përgjatë tërë jetës së saj reflekton forcën e një gruaje me pasion të madh për sportin dhe e bënë atë simbol të këmbëngulësisë dhe mosdorëzimit për sukses. Gjurmët e punës dhe veprimtarisë së profesoreshës Shqipe do të mbeten gjithmonë të pa shlyera dhe do të shërbejnë si frymëzim dhe motiv për gjeneratat e reja që do ta ndjekin rrugën e saj”, theksoi Çeku.

Ndërsa, Presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës. Ismet Krasniqi, theksoi se Shqipe Bajçinca Brestovci ka lënë prapa saj një veprimtari e cila duhet pasuar e ndjekur nga të gjithë sportistët dhe organizatat sportive.

Krasniqi: Shqipja do të mbetet model i guximit dhe mosdorëzimit

“Ajo ishte një frymëzim për të gjithë ne. Me qëndrueshmërinë e saj, përkushtimi dhe vizionin, ajo shpërndau vlerat olimpike dhe nxitjen e barabarësisë në sport duke u angazhuar në të drejtat e grave dhe avancimin e tyre në fushën e sportit. Por, ajo nuk ishte një liderë vetëm në arenën sportive, si pedagoge e Fakultetit të edukimit Fizik dhe Sportit ia kushtoi edukim it të të rinjve duke i frymëzuar ata t’i ndjekin ëndrrat e tyre me pasion dhe përkushtim. Për gjenerata e ardhshme do të mbetet një model guximi dhe një udhëheqëse që nuk u tremb nga asnjë sfidë”, tha Krasniqi.

Djali i saj, Gjergj Brestovci nën emocione tha se përkundër ikjes së saj të hershme, ajo bëri një jetë të plotësuar.

Gjergji: Për mua ishte nëna më e mirë

“Për mua ishte nëna më e mirë edhe nuk kisha kërkuar ndryshe, më ka edukuar më së miri. Edhe pse u nda shumë shpejtë nga jeta, e ka jetuar jetën më të plotë të mundshme që dikush 100 vjeçar nuk do të kishte mundur ta plotësojë”, tha Bretovci.

Ndër të tjera, profesoresha Bajçinca–Brestovci e cila ndërroi jetë të dielën e kaluar, ishte anëtare e Bordit Ekzekutiv të Komitetit Olimpik të Kosovës.

Ka mbajtur pozita shumë të rëndësishme në Federatën e Hendbollit të Kosovës. Së fundi ishte kryetare e Shoqatës së Gjyqtarëve të Hendbollit dhe anëtare e Bordit të FHK-së. Ishte edhe delegate e Federatës Evropiane të Hendbollit, ish komesare e garave të FHK-së.

Në mënyrë aktive ishte marrë me karate, atletikë e hendboll. Në Fakultetin e Kulturës Fizike të Universitetit të Prishtinës ka ligjëruar për dy dekada e gjysmë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat